Vrasja e Emin Spahijes, kryetarit të Lidhjes së Misionarëve të Paqes së Shqipërisë është një goditje serioze ndaj luftës kundër gjakmarrjes. Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë ka shprehur, me anën e një njoftimi për shtyp, shqetësimin e saj për vrasjen e Spahijes që vazhdon të mbetet enigmë dhe pa autor. Policia e Shkodrës ka shoqëruar gjatë ditës së djeshme 12 persona si të dyshuar për vrasjen e misionarit të paqes, por pasi janë marrë në pyetje shumica e tyre janë lënë të lirë pasi nuk janë gjetur prova për implikimin e tyre në vrasje.
Uniformat blu të qytetit verior nuk kanë dhënë asnjë version zyrtar lidhur me motivet e krimit, por mësohet se po hetohet në dy pista. Sipas hetimeve të para, bëhet fjalë për një vrasje profesionistësh pasi Spahija është qëlluar me automatik tip Scorpion me silenciator, ndërkohë që grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje dhe fishekë pistolete, çka do të thotë se viktima është qëlluar me dy lloje armësh.
Sipas grupit hetimor, autorët e krimit kanë qenë të mirinformuar për lëvizjet e viktimës pasi ai është qëlluar pas mesnatës në një kohë që në të gjithë qytetin e Shkodrës mungonte energjia elektrike, gjë që i ka ndihmuar ata të lëviznin pa problem, pas kryerjes së krimit, në drejtim të paditur.
40-vjeçari Emin Spahija ishte babai i një djali dhe prej 5 vjetësh drejtonte Lidhjen e Misionarëve të Paqes së Shqipërisë, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohe njihej për pjesëmarrjet e tij në aktivitete të shumta për pajtimin e familjeve që ishin në gjak me njëra tjetrën. /tvklan.al