Vetëm disa orë përpara se Sekretari i Shtetit të SHBA Antony Blinken të  zbarkonte në Izrael për të diskutuar një armëpushim të mundshëm mes Tel Avivit dhe Bejrutit, Hezbollahu nisi raketa në dy baza pranë kryeqytetit. Raketa janë lëshuar edhe në një bazë detare jashtë qytetit port të Haifa më në veri. Deri më tani nuk raportohet për viktima nga këto sulme.

Autoritetet izraelite thanë se sirenat ajrore u aktivizuan në zonat në juglindje të Tel Avivit për shkak të një predhe e cila kaloi nga Libani dhe ra në një zonë të hapur. Teksa luftimet vijojnë Blinken synon që me vizitën e tij në Lindjen e Mesme  të “ringjallë” negociatat për t’i dhënë fund luftës së Gazës dhe për të zbutur konfliktin në Liban.

Ai pritet të diskutojë hakmarrjen e mundshme të Izraelit për sulmin me raketa balistike të Iranit më 1 tetor, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, në një konferencë për mediat tha se Teherani nuk kërkon luftë në Lindjen e Mesme dhe ka bërë përpjekje për të ulur tensionet, por është i përgatitur për çdo konflikt.

Klan News