Grupi militant Hezbollah shënjestroi për herë të parë me raketa dhe dronë bazën Ashdod në jug të Izraelit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.

Videot tregojnë sesi dronët u përplasën në çatinë e një ndërtese në qytetin verior izraelit Nahariya. Sirenat e sulmit më të madh ajror deri më tani ranë në zonat qendrore dhe veriore, duke përfshirë periferitë e Tel Avivit.

Ushtria izraelite raportoi se 340 raketa ishin lëshuar nga Libani. Sulmet plagosën të paktën 11 persona dhe erdhën një ditë pasi Izraeli vrau të paktën 29 persona në një sulm në qendër të Bejrutit.

Ndërkaq forcat izraelite vazhduan të bombardojnë fshatrat dhe qytetet në të gjithë provincën Nabatieh në Libanin jugor ku një person humbi jetën dhe dhjetra shtëpi u shkatërruan.

Kryeministri i Libanit Najib Mikati e dënoi atë si një sulm ndaj përpjekjeve të armëpushimit të udhëhequra nga SHBA, duke e quajtur atë një “mesazh të drejtpërdrejtë, të përgjakshëm që refuzon të gjitha përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë, kryediplomati i Bashkimit Evropian bëri thirrje për më shumë presion mbi Izraelin dhe Hezbollahun për të arritur një marrëveshje.

Ndërkaq në pjesën tjetër të enklavës ‘Save the Children’ rreth 130 mijë fëmijë nën 10 vjeç janë bllokuar në veri të Gazës dhe situata nuk është e përshtatshme për mbijetesën njerëzore. Ndihma humanitare për Gazën ka rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, ndërsa grupet e ndihmës kanë bërë thirrje për ndërhyrje globale për të arritur tek ata që janë bllokuar në veri.

Klan News