Viti 1975 dhe grupi armiqësor në ekonomi, viktimat e radhës që diktatura komuniste vuri në shënjestër në atë vit, janë në qendër të programit “Histori me Zhurmues” për këtë të diel.
Gjatë këtij revanshi u goditën rëndë funksionarë të lartë të partisë dhe të shtetit, nuk u kursyen as anëtarë të Byrosë Politike, as ministra.
Pasojat e krizës ekonomike që nisën të ndiheshin gjithmonë e më tepër, u veshën me sloganin e “veprimtarisë armiqësore”, që kish për përfaqësues Koco Theodhosin, Abdyl Kellezin dhe Kico Ngjelen.
Piktori Arben Theodhosi, i biri i Koco Theodhosit, ish-anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/ministër deri në vitin 1975, kohë në të cilën u arrestua me akuzën e sabotimit në ekonomi dhe u ekzekutua, është i ftuari i Pandi Laços.
Ai do të na njohe me historinë e familjes së tij që u internua në Kurbnesh, për jetën dhe punën në minierë, pa lënë mënjanë dhe jetën në ish-Bllokun, si dhe raportet e të atit me Enver Hoxhën dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes komuniste.
Ramadan Perhati, një tjetër viktimë e “grupit sabotator” në ekonomi, i diplomuar në Bashkimin Sovjetik për shpim-kërkim nafte, autor i shumë librave dhe studimeve, do të na flasë për emërimin e tij në Patos, ku punoi një kohë të gjatë si kryeinxhinier i ndërmarrjes shpim-kërkim.
Në vitin 1975 e kapi edhe atë vala dënimeve, prej të cilës detyrohet të punojë për 17 vjet si punëtor nafte.
Ramadan Perhati do të tregojë aktivitete të naftës dhe dënimin e kolegëve të tij për sabotim, mbi bazën e akuzave absurde.
Njëra prej personazheve të evidentuara përmes kronikave të kohës në vitin 1975 është Mariana Nota, punonjëse në fabrikën e qumështit në Shkodër, e cila do të na zbulojë të dhëna mbi jetën e saj në fshat si stazhiere e partisë, aktiviste deri në vitin 1990, kur dorëzoi teserën e partisë./tvklan.al