Dënimi nga regjimi komunist i grupit çam të udhëhequr nga Teme e Taho Sejko, në vitin 1961, është ngjarja kryesore në programin e sotëm “Histori me Zhurmues”. Nëpërmjet rrëfimit të Hektor Sejkos, i biri i Tahos dhe nipi i Temes, njihemi me dramën e njërës prej familjeve çame më të prekura, lidhur me të ashtuquajturin komplot të grupit çam. Pesë viktima nga e njëjta familje, ndërmjet të cilëve Teme Sejko dhe Taho Sejko, i cilësuar kreu i grupit, janë disa nga lista e gjatë e qytetarëve shqiptarë me origjinë çame, të cilët u akuzuan dhe u dënuan se donin të përmbysnin pushtetin me një komplot të përbashkët me shërbimet inteligjente të Greqisë, Jugosllavisë dhe flotën e gjashtë amerikane.
Divorci me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 u pasqyrua edhe në prishjen e shumë familjeve shqiptaro-ruse. Një nga dramat është edhe historia e skulptorit Thanas Papa, i diplomuar në dy akademi të Leningradit. Presioni i punonjësve të degës së brendshme dhe i organizatës së Frontit Demokratik e detyruan Thanasi të kthehej në Bashkimin Sovjetik, të shoqen dhe vajzën, për t’i takuar ato pas ardhjes së demokracisë, vetëm pas 30 vjetësh.
Një nga sportet më masive të viteve ’60, në Shqipëri, ishte motociklizmi. Në “Histori me Zhurmues” është ftuar Petraq Karabina, pjesëmarrës në ato vite në garat me motorra, si dhe Enea Thanasi, i biri i Nikolle Thanasit, kampion për disa vite radhazi në këtë sport në Shqipëri./tvklan.al