Të apasionuarit pas teknologjisë e kanë “princeshën” e tyre që sjell të gjitha risitë e videolojërave, pajisjeve apo makinave në formën më argëtuese dhe të thjeshtë të mundshme. Fjona Çakalli është një nga 10 influenceret më të ndjekura të makinave në Itali duke sfiduar mjedisin e sunduar nga meshkujt.

Prindërit e saj janë primo balerinët e TKOB, Ludmill Çakalli dhe Tatiana Sulejmani, por në pamundësi për  të ndjekur ëndrrën e baletit, Fjona gjeti rrugën drejt teknologjisë. Në një intervistë në “Rudina” në Tv Klan, ajo tregon se punonte në një kompani sigurimesh por nuk i falte kënaqësinë e plotë që kërkonte dhe nga aty filloi një rrugëtim i gjatë, i vështirë dhe shumë i bukur.

Fjona Çakalli: Një ditë u ula, thashë çfarë më pëlqen? Videolojërat, mirë. Teknologjia, mirë. Çfarë mund të bëj unë me këto në jetën time? Dhe mendova që më pëlqente shumët ë shkruaja, të tregoja histori,  më pëlqente kështu që fillova duke shkruar për  videolojërat. As nuk e dija fare çfarë po bëja, kot, kështu fillova. Bleva disa libra si bëhet një website, si shkruhet një artikull dhe ajo ishte një fillim gazetarie të themi kështu dhe filloi nga ajo, eksplorim. Filluan disa ndjekës dhe thashë kjo mund të jetë rruga, kështu që punoja te sigurimet dhe tre vitet e fundit po bëja sigurimin dhe këtë punë. Unë punoja 16 orë në ditë se doja të bëja një gjë për jetën time dhe thashë kjo mund të jetë rruga, po nuk shkoi do të provojmë një gjë tjetër, nuk kam frikë. Avash-avash, gjithë ato vite jo nga sot për nesër.

Fjona themeloi gamesprincess.it, një faqe interneti që merrej me vlerësimin e videolojërave të ndryshme. Por me rritjen e audiencës iu kërkua të postonte video në Youtube dhe aty nisi sërish nga e para duke mësuar çdo ditë dhe mbi të gjitha, duke e lejuar veten të gabonte.

Fjona Çakalli: Kur mësova si gabohet, atëherë fillova duke ekpserimentuar, ta provoj këtë video, po s’doli  mirë, s’kemi për ta bërë më, s’ka problem, nuk është se ndodh gjë. Ky ka qenë suksesi i parë: të mësosh të gabosh.

Sot Fjona realizon video për techprincess.it dhe “driving Fjona” që u janë kushtuar pajisjeve teknologjike dhe makinave. Gjithashtu ajo po bashkëpunon me Rai 3 për programin “Touch – impronta digitale”./tvklan.al