Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Organizata Hakmarrja për Drejtësi, dyshohet se është krijuar në vitin 1992, nga një grup prej 11 të rinjsh drejtuar nga djemtë e ish-zv/ministrit të Brendshëm Hajredin Shyti. Pavarësisht datës së krijimit, goditja e parë, pra arrestimi i anëtarëve të saj është bërë në gjysmën e parë të Tetorit të vitit 1996, kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Në mendjen e qytetarëve sigurisht që kanë mbetur pamjet e shfaqura nga i vetmi kanal televiziv, atëherë shtetëror, pamje që tregonin një arsenal të tërë armësh, kasaforta me miliona lekë, si dhe seancat e pyetjeve të të akuzuarve. Përveç krimeve, kësaj organizate iu veshën edhe qëllimet politike gjë që ndikoi në vazhdimin e hetimit të paanshëm të tyre.

Në vitin 97, duke përfituar nga hapja e burgjeve, të gjithë anëtarët e kësaj organizate dolën jashtë, për të mos u rikthyer më. Në Shkurt të vitit 1998, Gjykata e Faktit të Tiranës nisi procesin ndaj organizatës Hakmarrja për Drejtësi, por në mungesë të të akuzuarve. 11 anëtarët e bandës akuzohen për mjaft krime të ndryshme, midis të cilave, vrasje, grabitje personi, vjedhje dhe grabitje të kryera në bashkëpunim.

Ndër veprat që kanë kryer anëtarët e kësaj organizate, përmenden vjedhja e shoqërisë ajrore Swissair, Malev, ajo e arkës së kompanisë rentiere VEFA Holding, vjedhja e Bankës së Kursimeve, grabitja e fëmijës E. N. në 31 Tetor 1995, vendosja e autobombës në supermarketin e ish-kompanisë VEFA në 26 Shkurt 1996, si dhe vrasja për shkak të cilësive të veçanta të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Bujar Kaloshi.

Pas pesë vitesh hetimesh Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm të gjithë akuzuarit për mungesë provash. Por menjëherë pas këtij vendimi, lideri demokrat Sali Berisha e denoncoi këtë veprim. Pak javë më pas, Gjykata e Apelit rrezoi vendimin e Gjykatës së Faktit dhe rikthehu në prokurori dosjen e organizatës.

Ndërsa në 21 Maj të këtij viti, policia arrestoi njërin prej të akuzuarve Gëzim Gjonin. Ky veprim, dyshohet se ka irrituar anëtarët e tjerë të kësaj organizate që kanë reaguar./tvklan.al