Shqipëria ka nisur një rrugëtim që të çon drejt e në dyert e Aleancës Atlantike të Veriut.

Do të ishte muaji Prill kur vendi ynë do të ftohej zyrtarisht nga 26 vendet anëtare për t’u bërë pjesë e NATO-s në një ceremoni madhështore ku merrnin pjesë krerë të lartë shtetesh, mes tyre dhe presidenti e kryeministri shqiptar.

Aleanca i hapi rrugë anëtarësimit në gjirin e saj. Kjo do të thoshte shumë për një vend të vogël si Shqipëria, e cila prej 18 vitesh aspiron të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike, por kjo do të thoshte më shumë për përpjekjet e vendit tonë, popullit e qeverisë, e cila forcoi gjithnjë e më shumë fokusimin në reformat dhe standardet duke u shpërblyer me ftesën e integrimit.

Nuk kaluan më shumë se tre muaj dhe gjithçka u konkretizua dhe gjithçka u konkretizua me nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer më 9 Korrik të këtij viti, por rruga sapo kishte nisur.

26 vendet anëtare duhet të ratifikojnë dokumentin, i cili më pas zyrtarizon anëtarësimin e vendit tonë në aleance.

Deri tani shtatë shtete, përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë okay-n këtij rrugëtimi. E gjitha ka ndodhur në një kohë rekord, një proces i cili duhet të mbyllet në mënyrë të përshpejtuar deri në Prill të vitit tjetër, ku vendi ynë pritet të bëhet anëtar me të drejta të plota i NATO-s në samitin që organizohet në Francë dhe Gjermani.

Kështu pranvera do të jetë një festë për integrimin e vendit tonë, i cili kremton njëherësh së bashku me 27 vendet e tjera , përfshirë dhe Kroacinë, 60-vjetorin e krijimit të Aleancës së Veriut./tvklan.al