Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha të mërkurën se me gjithë mospajtimet që Shtetet e Bashkuara kanë me qeverinë aktuale të Kosovës, përkushtimi amerikan ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur, ndërsa theksoi se ky përkushtim nuk vlen për çdo qeveri apo veprim politik të saj.
“Ndërsa disa nga fushat e bashkëpunimit me qeverinë aktuale mbesin më pak pozitive sesa që ne kishim shpresuar, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë sa ka qenë gjithmonë. Megjithatë më duhet të theksoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës jo domosdoshmërisht vlen për çdo qeveri të Kosovës ose për çdo zgjedhje apo veprim të caktuar të politikave qeverisëse”, tha ambasadori Hovenier.
Ai i bëri këto komente pak pas një ceremonie gjatë së cilës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, nënshkruan dokumentin e dhurimit të 34 milionë dollarëve për Kosovën, në kuadër të marrëveshjes për fondin për objektivat zhvillimore ndërmjet të dyja vendeve.
Marrëveshja fillestare e këtij granti që u nënshkrua në nëntor të vitit 2020, i siguroi Kosovës mbështetje prej 33 milionë dollarësh, ndërsa nëpër vite është mbështetur edhe me fonde tjera. Në mars të vitit 2022 Kosova përfitoi donacion prej rreth 32 milionë dollarësh amerikan. Vlera e përgjithshme e këtij granti është mbi 142.6 milionë dollarë.
Presidentja Osmani tha se marrëveshja është tregues i qartë i fuqisë së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si garanci për një të ardhme të ndritur të vendit.
“Sa herë punojmë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët tanë dhe shteti jonë përfitojnë”, tha presidentja Osmani, e cila ditëve të fundit ka theksuar nevojën e bashkërendimit të veprimeve të Kosovës me aleatet perëndimorë në synimet si ai për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që nxiti mospajtime ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe diplomacisë euro-perëndimore.
Presidentja Osmani, tha se marrëveshja e sotme është rikonfirmim i vizionit të përbashkët me Shtetet e Bashkuara për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Do të mbështesë projekte të cilat synojnë shërbime më të mira për qytetarët tanë nga institucione llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes si dhe rritje të mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, demokratike dhe ekonomike. Në këtë mënyrë ne nuk po ndërtojmë vetëm institucione më të forta e më të qëndrueshme por edhe një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”, tha presidentja Osmani.
Ambasadori amerikan Hovenier tha se ky donacion do të mbështesë programe dhe veprimtari të cilat do të fuqizojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës.
“Ne besojmë që kjo do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj integruese drejt tregut evropian dhe rrjedhimisht do ta ndihmojnë atë të përafrohet edhe më shumë me institucionet euroatlantike si Bashkimi Evropian – një synim i yni i përbashkët”, tha ambasadori Hovenier.
Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 1 miliard dollarë amerikan në rindërtimin e Kosovës dhe zhvillimin e saj./VOA