Diana ka organizuar një surprizë emocionuese për Robertin, shpirtin e saj binjak në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke shprehur mirënjohjen për mbështetje të pakufishme që ka marrë nga ai gjatë gjithë jetës së tyre. Ajo ndau me rubrikën e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan momentet e vështira shëndetësore kur ka përjetuar frikën dhe pasigurinë, por ka gjetur ngushëllim dhe forcë tek burri i saj.

Por ajo ka vetëm një kërkesë për të. Edhe pse jetojnë në Itali, Roberti është shumë i lidhur me Shqipërinë e vjen shumë shpesh. Së fundmi, ai shpreson që të mund të përkushtohet në forcën politike në të cilën beson dhe të kthehet në Shqipëri. Diana s’është dakord e ka ardhur t’i bëjë një kërkesë, sidomos pas një episodi shumë të vështirë që i ndodhi një javë më parë.

Diana: Më fal që të lashë 2 net pa gjumë, por jam e lumtur që të bëra këtë surprizë dhe të them, ti e di, ne kemi 45 vjet bashkë, 41 vjet të martuar dhe 45 vjet që njihemi, që jetojmë bashkë. Ne të dy nuk jemi vetëm burrë e grua, ne më shumë jemi si shokë, si një familje e lumtur, pavarësisht se kemi vuajtur shumë se kemi dy djem të shkëlqyer, dy nuse shumë të mira që edhe e dyta po na jep nipin, me 4 nipër të shkëlqyer. Unë ta bëra këtë surprizë se ti meriton çdo gjë në jetë, se ti ke bërë shumë për mua, shumë fare. Kur unë kam vuajtur, ti gjithmonë ke qenë pranë meje. Unë kam fjetur në krevat dhe ti ke fjetur poshtë në tokë…

Robert: Gjithë burrat e kanë për detyrë!

Diana: Jo, jo nuk janë të gjithë burrat që e kanë për detyrë këtë, por ti e di se çfarë më ndodhi mua para  një jave. Nuk ta thashë Ardit, e lashë për ta thënë tani në fund. Para një jave, mua më ndodhi një gjë shumë e çuditshme. Vajta te doktoresha ime e familjes për të shkruajtur ilaçet. Atje, ajo më pa që nuk isha mirë. Më mati tensionin dhe tensionin e kisha të lartë. Më dha një gjë për t’u qetësuar. Pastaj unë ngadalë-ngadalë ika që aty, nuk po më kujtohej asgjë. Në atë çast m’u kujtua vetëm mami im. Fillova të merrja mamin tim në telefon, atë e tremba, fillova të qaja e të bëja. Ajo më tha “mos u shqetëso sepse do të të vijë kujtesa”. Sot nuk jemi asgjë në këtë botë prandaj unë të them jemi sot, s’jemi nesër. Unë dua që ti këto vitet që kanë ngelur, nuk e di, mund të vdes edhe nesër, mund të vdes edhe 100 vjeçe, dua që ti të më premtosh të mos më lësh më vetëm, të jesh gjithmonë me mua. Edhe mua nuk më pëlqen të rri në Itali, por ne do të rrimë se unë jam e sëmurë, kam vizitat, kemi familjen, kemi djalin kështu që ne duhet të rrimë. Unë për këtë të kam sjellë këtu që ti të më japësh fjalën që nuk do të më lësh më vetëm se më ndodhi njëherë, mund të më ndodhë herë të tjera./tvklan.al