Psikologia Anxhela Peza ka fituar një status të ri dhe shumë të bukur në rrugëtimin e jetës së saj sepse sapo është bërë nënë. Rreth dy muaj e gjysmë më parë ka ardhur në jetë Andrei i cili është dhurata e saj më e bukur. Anxhela ka ardhur në programin “Rudina” në Tv Klan së bashku me vogëlushin për të na rrëfyer të gjitha momentet kyçe të shtatzënisë së saj të shumëpritur.

Anxhela Peza: Unë e kam publikuar në fakt shtatzëninë time pasi e kam lindur Andrein, nuk e kam publikuar më përpara dhe ka qenë enkas kjo gjë. Andrei erdhi në jetë përpara kohe. Të gjithë ata që kanë prouar një shtatzëni, java e 38 dhe e 40 janë javët që njihen nga shkenca për të sjellë një fëmijë në mënyrë më të formuar dhe të shëndetshme. Andrei ka ardhur në jetë në javën e 34 dhe 3 ditë sipas mjekëve dhe ishte një dhuratë e parakohshme për ne.

Andrei ka qëndruar 1 javë në reanimacion. Unë arrita që ta bëja me operim sepse mjekët më thanë që unë në njëfarë mënyre do rrezikoja pak edhe jetën e fëmijës sepse do stërmundohej shumë bebi nëse do të vinte në një mënyrë më natyrale kështu që Andrei ka qëndruar 1 javë në reanimacion dhe ka ndenjur me atë balonin që ndihmon me oksigjen. Unë nuk kam mundur kur kam bërë djalin që ta marr në krahë ose ta përqafoj kështu që ditën e ditëlindjes që përkonte, Andrei ka lindur më 24 korrik, unë e kam ditëlindjen më 28 dhe ditën e ditëlindjes doktoreshat ma bënë dhuratë për ta marrë në krahë.

Psikologia shton se lajmin e shtatzënisë e ka mësuar në një moment shumë delikat.

Anxhela Peza: Në fakt, Andrei ka ardhur te mua në momentin që mamaja ime sapo kishte ndërruar jetë.

Rudina Magjistari: Dhe ti ke qenë në një moment të trishtë dhe të vështirë duke kaluar dhe menjëherë vjen lajmi, ti mëson që ishe shtatzënë? Këtu jeni me mamanë? Ajo është engjëlli juaj mbrojtës tani.

Anxhela Peza: Po. Kështu që unë e quaj si një dëshirë të fundit përpara se ajo të largohej nga jeta.

Rudina Magjistari: Është plotësuar dëshira e saj kështu që duhet të jesh edhe ti e qetë tani, edhe ajo është e qetë aty lart që ju sheh dhe ju mbron gjatë gjithë kohës.

Anxhela Peza: Andrei ka ardhur pas një shtatzënie… ka qenë shtatzënia ime e dytë. Shtatzëninë e parë unë e kam humbur kështu që kësaj radhe donim ta mbanim vetëm për vete.

Rudina Magjistari: Nuk arrite dot  ta çoje deri në fund. Para sa kohësh ka ndodhur kjo, ka shumë diferencë?

Anxhela Peza: Diku te 1 vit e gjysmë më pas sepse duhet të rikuperohesh pasi bën një abort. Unë dhe im shoq kemi kërkuar një fëmijë që në momentin e parë që i kemi thënë “po” njëri-tjetrit kështu që mezi e kemi pritur./tvklan.al