Kryediplomati Szijarto: Përshpejtimi i procesit të zgjerimit është një prioritet i presidencës hungareze
Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk e mbështesin zgjerimin e shpejtë, tha nga Podgorica ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijarto. Sipas tij, përshpejtimi i këtij procesi do të jetë një nga prioritetet e presidencës hungareze të Këshilli i BE-së në gjysmën e dytë të vitit.
Në një konferencë për media me kolegun malazez Filip Ivanoviq tha se Hungaria po përgatitet për kryesimin e Këshillit në një periudhë shumë të vështirë.
“BE-ja po përballet me sfida serioze ekonomike dhe të sigurisë dhe se është e nevojshme të merret energji dhe dinamizëm i ri nga jashtë. Ne besojmë se kjo energji e re mund të vijë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e tij që janë ambicioze dhe të gatshme për këtë bashkëpunim. Procesi i zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë i ngadalshëm sepse shumica e vendeve anëtare të BE-së sot nuk e mbështesin zgjerimin, veçanërisht janë kundër përshpejtimit te këtij procesi. Ata nuk duhet që të gënjejnë sepse publikisht krijohet një imazh ndryshe. Pas dyerve të mbyllura, shumë vende po flasin shumë sinqerisht për atë që i pengon ata që të mbështesin zgjerimin.”
Ai tha se një nga prioritetet e presidencës hungareze do të jetë përshpejtimi i procesit të zgjerimit të BE-së.
“Pozicioni i qeverisë hungareze është i qartë. Mali i Zi është gati për anëtarësim në BE,” tha Szijarto. Ai kujtoi faktin se Mali i Zi mori statusin e kandidatit 16 vjet më parë, hapi kapitujt e parë 12 vjet më parë dhe ende nuk ka mbyllur asnjë prej tyre.
Kryediplomati hungarez theksoi se, duke pasur parasysh sigurinë dhe sfidat që dalin nga narrativat antievropiane, kërcënimet hibride dhe përhapja e dezinformatave në rajon, përveç perspektivës evropiane e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk ka alternativë tjetër.
Klan News