Hungaria, Sllovakia dhe Serbia kërkuan kufij të fortifikuar të jashtëm të BE-së dhe u zotuan të vazhdojnë luftën e tyre të përbashkët për të frenuar migrimin e paligjshëm në Bashkimin Europian. Udhëheqësit e këtyre vendeve u mblodhën në Komarno të Sllovakisë edhe kërkuan më shumë fonde nga BE-ja.

Viktor Orban, Aleksandër Vuçiç dhe Robert Fico lavdëruan përpjekjet e tyre për të ulur numrin e emigrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që përdorin të ashtuquajturën rrugë ballkanike që kalon përmes Serbisë dhe në BE nëpërmjet Hungarisë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban propozoi ngritjen e kampeve në vendet e sigurta të Afrikës Veriore si zgjidhje të problemit europian.

“Në rastin e afrikanëve, ne mund të ngremë qendra në anën jugore të Detit Mesdhe. Kjo duhet të financohet, mirëmbahet dhe drejtohet nga Bashkimi Europian. Këtu mund të mblidhen ata që duan të vijnë në Europë dhe të dorëzojnë aplikimet e tyre që të vlerësohen.”

Migrimi i paligjshëm mbetet një problem kyç politik në të gjithë Europën gati një dekadë pas krizës së 2015-s, kur rreth 1 milion vetë mbërritën njëherësh në bllok. Migracioni i paligjshëm nëpërmjet Ballkanit Perëndimor ra me 79% gjatë 2024-s. Ndërsa Serbia raportoi një ulje prej 80% të emigrantëve.

Presidentit Vuçiç tha se Serbia nuk do të pranojë kurrë të krijojë qendra pritëse për emigrantët e paligjshëm në territorin e saj. Ndërsa kryeministri sllovak Fico, i cili ishte dhe mikpritësi i samitit, e quajti luftën kundër migracionit të paligjshëm një prioritet absolut dhe shtoi se fenomeni ka dhënë efekte negative në mbarë Europën.

Italia javën e kaluar filloi të punojë me Shqipërinë jo-anëtare të BE-së, duke dërguar atje emigrantë për të trajtuar kërkesat e tyre për azil, një skemë që synon të pengojë kalimet me varka të Mesdheut.

Klan News