Protestat kanë bllokuar disa qytete të Serbisë. Studentët, të cilët prej javësh kanë bllokuar fakultetet e Universitetit të Beogradit, protestuan në kryeqytet për të kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç për tragjedinë e Novi Sadit ku pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor humbën jetën 15 vetë.
Rrugët afër sheshit Slavija në qendër të Beogradit u mbyllën për qarkullimin e automjeteve ndërsa mijëra vetë u mblodhën për të protestuar. Protestës së studentëve iu bashkuan edhe fermerë, aktorë dhe arsimtarë. Demonstrata filloi me 15 minuta heshtje për viktimat e tragjedisë. Shumë nga pjesëmarrësit ndezën dritat e telefonave.
Organizatorët kërkuan nga qeveria t’i gjejë dhe t’i ndjekë penalisht të dyshuarit që sulmuan demonstruesit gjatë protestave të mëparshme. Gjithashtu kërkuan lirimin e aktivistëve të ndaluar dhe shfuqizimin e procedurave ligjore kundër tyre. Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad. Disa nga protestat u shoqëruan në dhunë.
Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksandar Vuçiç, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në 4 universitete, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar në solidaritet me protestat. Studentët gjithashtu kanë mbajtur protesta ditore, duke bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë.
Klan News