Stafi i emisionit “Stop” i është drejtuar me shkresa të veçanta zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes, AISM dhe DSIK për disa nga çështjet e ngritura në emisionet e ditëve të fundit.
Saimir Kodra: Para ca ditësh transmetuam dekonspirimin e emrave që kishte bërë vetë AISM-ja, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes me DSIK-ja që jepte certifikata sigurie. Na kanë bllokuar në YouTube pamjet e emisionit që kemi transmetuar, se me demek paskemi nxjerrë ne emrat e tyre. Emrat e tyre i nxorët vetë dhe ju mund të bllokoni në daç Youtube, e në daç sondën në Mars, ato emra do t’i bëj publike sa herë të më dojë kokrra e qejfit, sepse i keni nxjerrë vetë ju. Megjithatë, për këtë arsye ju drejtuam shkresërisht Ministrisë së Mbrojtjes, që ç’masa keni marrë për ata që kanë dekonspiruar emrat; vetë AISM-së, ore vetë ju atje çfarë keni bërë? DSIK-së, keni dhënë apo nuk keni dhënë certifikata sigurie për këta punonjës, për firmën? Dhe tjetra, shkresë KLD-së dhe Presidentit Ilir Meta për çështjen e gjyqtarit Guximtar Bocit.
Gazetari i “Stop” tha se emisioni i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Kolonel Bardhyl Kollçakut dhe Agjencisë Inteligjente të Sigurisë dhe Mbrojtës, ku e pyesim se pse drejtori i përgjithshëm i AISM-së, Kolonel Bardhyl Nuredinaj, nuk ka përmbushur kriteret ligjore dhe është emëruar në këtë post? Pse Kompania “Kola Invest SH.P.K.”, ka kryer rikonstruksionin e AISM-së pa u pajisur me certifikatë të sigurisë industriale, kjo dhe punonjësit e saj? Pse punonjësit e punësuar në agjencinë e Inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes nuk kanë qenë të pajisur me certifikatë sigurie në kohën që janë punësuar në këtë institucion dhe pse AISM ka nxjerrë dhe ka publikuar emrat dhe strukturat e punonjësve të saj duke qenë se ligji e ndalon këtë si sekret shtetëror dhe çfarë masash do të marrë Ministria e Mbrojtjes për këto shkelje që ka bërë AISM?
Për të njëjtën problematikë emisioni “Stop” i është drejtuar me një shkresë zyrtare edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, si kreu i Forcave të Armatosura.
Për problematikën e trajtuar në emisionin “Stop” për Agjencinë e Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes, “Stop” i është drejtuar me një shkresë zyrtare edhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një drejtori e varur nga kryeministria, ku e pyet këtë të fundit se pse kompania “Kola Invest SH.P.K.”, e cila ka kryer rikonstruksionin e godinës AISM, nuk ka qenë e pajisur me certifikatë sigurie industriale?
Po kështu redaksia kërkoi një qëndrim zyrtar nga KLD, për rastin e hetimit të Guximtar Bocit, i cili u regjistrua duke kërkuar favore seksuale nga një grua, për të ndikuar në procesin e saj.
Pas pezullimit që bëri grupi i inspektimit të KLD, drejtuar nga anëtare Z. Gerd Hoxha, për çështjen e Zotit Boci, duke pretenduar se nuk është verifikuar nga prokuroria apo nga gjykata, apo edhe nga organe të tjera kompetente siç është policia shkencore, autenticiteti i zërit dhe audiopërgjimit që u publikua në emisionin “Stop” në atë kohë, emisioni “Stop” i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku e pyet se pse ky grup i KLD nuk ka bërë vetë verifikimin për të zbardhur këtë çështje, pasi ligji për KLD e parashikon edhe këtë pikë./tvklan.al