Zbardhen detaje të reja nga grupi prej 6 personash që merrej me trafik armësh nga vendi ynë drejt Britanisë së Madhe.
Klan News ka mësuar rolin që ka pasur secili nga 3 të arrestuarit në vendin tonë dhe që Gjykata e Posaçme u caktoni masën e sigurimit “arrest në burg”. Burime për Klan News kanë bërë me dije se Abdulla Hoxha merrej me sigurimin e armëve ose pjesëve të tyre dhe municionin luftarak. Ndërsa Bojken Turtuli kishte rolin e transportuesit të armëve drejt Anglisë për llogari të tre personave të shpallur në kërkim. Rifat Avdija ishte administrator i fabrikës ku prodhoheshin mobiljet.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se gjatë kohës kur orenditë shtëpiake si tavolina dhe kolltuqe prodhoheshin atyre ju bëheshin edhe sirtare apo vende shtesë brenda të cilëve futeshin armë ose pjesë të tyre për t’i dërguar me furgona në Britaninë e Madhe. Madje në një raste sipas hetimeve rezulton që të jenë përdorur edhe çifteli për të bërë trafikun e municionit.
Porositës të armëve sipas hetimeve të SPAK rezultojnë që të jenë 3 personat e shpallur në kërkim nga drejtësia jonë me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë. Grupi hetimor ka dyshime se ato jetojnë në Angli dhe se armët u duheshin për ngjarje kriminale. Për këtë çështje SPAK është duke bashkëpunuar edhe me autoritetet britanike për të bërë të mundur arrestimin e tre të dyshuarve. SPAK ka dyshime se ata janë persona me precedent penal dhe për këtë arsye blenin armë.
Në cilësinë e provës materiale , u sekuestruan 24 pistoleta, 1 Kallashikov, qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale për qitje në distancë dhe disa pajisje optike, veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta sim, 2 laptop dhe 2 thika. Ky operacion vjen pas atij të vitit 2023 ku u sekuestruan 8 pistoleta glock brenda sirtarit të një tavoline.
Klan News