Zbrazen rrugët e qyteteve gjatë natës
Ora 22:00 e mbrëmjes i ka gjetur qytetarët e Durrësit në shtëpitë e tyre, ndërsa bizneset e kanë mbyllur aktivitetin në kohë.
Urdhrit për karantinë 8-orëshe në këtë qytet duket se i janë bindur të gjithë. Në rrugë nuk është pare askush përveç forcave të policisë të angazhuar në monitorimin e situatës.
“Ora shënon 22:30 minuta ndërkohë që qyteti i Shkodrës është tashmë tërësisht i boshatisur. Ndërkohë forcat e policisë janë të angazhuara për zbatimin e rregullores së vendosur nga qeveria që të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00-06:00 të mëngjesit”
Edhe në Elbasan qytetarët e respektuan rregullin e izolimit. Pas orës 22:00 nuk pati më lëvizje. Rregulli i karantinës zbrazi edhe Korçën. Lokalet dhe njësitë tregtare e mbyllën aktivitetin pak para fillimit të orës policore.
Patrullat e policisë u shpërndanë jo vetëm në rrugët dhe sheshet kryesore, por edhe në lagjet periferike.
E tillë ishte situata edhe në Vlorë dhe Fier. Janë të paktë qytetarët që nuk i janë bindur urdhrit për t’u izoluar në shtëpi në orarin e caktuar.
Kush ende nuk kishte shkuar në shtëpi, u këshillua nga policia e cila nuk aplikoi gjoba.
Tv Klan