Blerje masive në tregje, nuk respektohet distanca
Zgjatja e fashave të orareve solli një tjetër panoramë këtë fundjavë në kryeqytet. Ndryshe nga e shtuna e kaluar, këtë të premte nuk pati dyndje të qytetarëve, ndonëse pas orës 17:30 e deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit i gjithë vendi do të jetë në shtetrrethim.
Problem vijon të mbetet distancimi fizik gjatë bërjes së pazareve nëpër tregje, ku disa qytetarë ende vijojnë të mos jenë të ndërgjegjësuar për rrezikun e përhapjes së infeksionit.
Marketët, në të cilët respektohen radhët sot nuk patën dyndje. E njëjta situatë ishte edhe në farmaci. Edhe bankat ndryshe nga ditët e tjera të javës qene të qeta. Lëvizjet më të shumta ishin nëpër rrugë.
Qytetarë që shfrytëzonin edhe këto pak orë të mbetura “lirie” për t’iu rikthyer normalitetit paraditen e së hënës. Sakaq policia ishte e pranishme në të gjitha akset kryesore për të vijuar me kontrollet e drejtuesve të automjeteve.
Pas orës 17:30 i gjithë vendi do të izolohet, ku ndalohet rreptësisht lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve, veç atyre që janë në shërbim, si mjekët, ushtria, policia e mediat. Cilido që do të tentojë të thyejë rregullat e vendosura do të ndëshkohet.
Tv Klan