Havaja dhe Shaqiri janë një çift i moshuar që i ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” një problem 18-vjeçar. Konflikti për të cilin ata përballen në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ka filluar në vitin 2006. Një mik i shtëpisë, përkatësisht kunati i djalit i quajtur Avni u ka kërkuar një hua.
Ai është shprehur me të reja dhe çifti fillimisht ka menduar se bëhej fjalë për 2 milionë lekë, por në të vërtetë ishin 20. Për të mos dalë nga fjala e dhënë, Shaqiri ka shkuar në bankë dhe ka marrë nga paratë e djalit tjetër, pa pyetur fillimisht as djalin dhe as nusen për Avniun. Prej 18 vjetësh ky borxh nuk u është kthyer dhe nuk ka asnjë gjurmë prej Avniut.
Hava: Na ka ardhur Avniu në orën 6 të darkës me gjithë djalin e madh. Nuk e di sa e kishte, 18 a 17 djalin se nuk ia di.
Ardit Gjebrea: Çfarë e keni ju këtë Avniun?
Hava: Avniun ne e kemi vëllain e nuses së djalit. Unë pandeha se ky burri im do të jepte një 2 milionëshe.
Ardit Gjebrea: Po sa ju kërkoi ai?
Hava: Unë s’e dija, unë e dija 2 milionë.
Ardit Gjebrea: Të vjetra?
Hava: Të vjetra. Kur u ngrit në mëngjes zotëria, më thotë mua që ai do 20 milionë. Ua, çfarë thua? Kthehu i thashë unë, mos ik për 20 milionë se nuk i bën dot. I kam dhënë fjalën tha, jam burrë e do të shkoj. Tani thotë nuk dal nga shtëpia. Zonja Eni, do të më ndihmosh.
Ardit Gjebrea: Po ç’u bë me ato 20 milionët?
Hava: Nuk e di ç’u bë.
Ardit Gjebrea: A i ke marrë?
Hava: Ku kam marrë?
Ardit Gjebrea: Po sa vjet u bënë?
Hava: 18 vjet.
Ardit Gjebrea: Po mirë, a është vëllai i nuses së djalit?
Hava: Është vëllai i nuses së djalit, nuk më ka faj as djali, as nusja se s’i kam pyetur.
Ardit Gjebrea: Po pyete nusen ti.
Hava: Nuk e pyeta kur ia dhashë. Tani edhe asaj nuk i vjen mirë, edhe mua më vjen turp që kam ardhur këtu por më ka detyruar burri që i bëj këto gjëra. Më ka detyruar, më ka sjellë deri këtu.
Havaja është e gatshme të shesë shtëpinë e ndërtuar me mund dhe t’i japë paratë djalit vetëm për të shmangur konfliktin familjar që “ka futur fëmijët në dyfek”. Shaqiri refuzon kategorikisht dhe gruaja vazhdon ta kundërshtojë e t’i thotë se duhet të dalë nga shtëpia.
Hava: Nuk ta kam borxh! 18 vjet mos të fle gjumë natën! M’i ke futur fëmijët në të zeza! M’i ke futur fëmijët në dyfek! More vesh?
Shaqir: Nga shtëpia nuk dal kurrë unë!
Hava: I kam mbajtur deri më tani, të keqen mami kemi miqësi, të keqen mami mos se kemi nipërit, por nuk i mbaj dot më fëmijët!
Shaqir: As me forcë më nxjerr dot, as me ligj!
Hava: Dëgjove, dëgjova thua! Dil nga shtëpia!
Shaqir: Shtëpitë janë të miat!
Hava: Lëri shtëpitë, s’i ke bërë vetëm shtëpitë!
Shaqir: Shtëpitë e Oltjonit dhe Rexhepit janë të miat!
Hava: Atje të shkosh, te Oltjoni e te Rexhepi! Këto do t’i shes! Ose ik në Xhenova!
Shaqir: Kush është në Xhenova?
Hava: Avniu është në Xhenova. Ec atje, merr lekët dhe shtëpia është atje pastaj! Të nxjerr unë që çke me të! Jo unë vetëm, por do të të nxjerrin djemtë!/tvklan.al