I është dhënë sot lamtumira e fundit “Fortumturisë së tij” Kryepeshkopit të ndjerë të gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos. Besimtarë, nivelet më të larta drejtuese të kishave nga mbarë bota, përfaqësues të besimeve të tjera, si dhe nga politika u bënë bashkë në Shërbesën e Varrimit në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Në ceremoni nuk munguan as Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Shërbesa e Varrimit u çel nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Batrolomeu, udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në mbarë botën.
“Shtylla e madhe e Kishës Orthodhokse në Shqipëri ka rënë. Humbja e tij përbën një tronditje të thellë për Kishën lokale. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepiskopin e ri, kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë!”
Falenderues për misionin 33 vjeçar të Kryepeshkopit në Shqipëri për ringritjen e Kishës Autoqefale Ortodokse, Kryeministri Rama u shpreh se Janullatos identifikohej me krenari dhe përkushtim me emrin e Shqipërisë.
“Humbët në këtë jetë Kryepeshkopin e 33 viteve, por fituat Anstasin e Shqipërisë, fituat një avokat atje lart pranë zotit. Duhet pranuar se është vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të ketë qenë që jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim, me fjalë dhe me vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas.”
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare nuk la pa përmendur as faktin se shpesh herë figura e Janullatosit është bërë objekt i sulmeve që në të shumtën e rasteve kanë ardhur si pasojë e paragjykimit për kombësinë e tij, por edhe të mosmarrëveshjeve mes Greqisë ku u lind dhe rrit dhe Shqipërisë ku ai shërbeu.
“Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna tek veprimtaria publike edhe qytetare, e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe, deri edhe tek zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës, por edhe kjo, më së paku, dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë dhe në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era.”
Kryeministri grek teksa nderoi punën e Kryepeshkopit, e cilësoi atë si “diplomat të dashurisë”.
“Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit.“
Mbesa e Kryepeshkopit të ndjerë, përmendi faktin se Shqipëria ishte kthyer në atdheun e dytë të xhaxhait të saj. “Ju e dini sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë, të vendit që u bë atdheu i tij i dytë.”
Besimtarë të shumtë u mblodhën si brenda ashtu edhe jashtë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” për t’i dhënë përshëndetjen e fundit udhëheqëësit të tyre shpirtëror. Trupi i kryebariut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të prehet në një ambient të posaçëm në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, një traditë shumëvjeçare e këtij besimi.
Tv Klan