Me lule, qirinj dhe lutje shumë besimtarë e personalitete i janë bashkuar homazheve në nder të Kryepeshkopit Anastas Janullatos në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. I pranishëm këtë të mërkurë ishte edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Teksa ndau ngushëllimet e tij vlerësoi bashkëpunimin e Kryepeshkopit të ndjerë me të gjitha komunitetet fetare. “Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë kishë nga varri.”
Jo vetëm figurat e fesë, por edhe politika dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vend ishin pjesë e homazheve. Mes besimtarëve të shumtë ka edhe nga ata shqiptarë që kanë ardhur posaçërisht nga Greqia për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kryepeshkopit.
Shërbesa e varrimit do të mbahet nesër në orën 11:00, pas liturgjisë hyjnore. Në ceremoninë mortore pritet të vijnë klerike të lartë nga vende të ndryshme të botës. Ajo do të drejtohet nga Mitropoliti i Korçës, Joan, i cili u vendos nga mbledhja e Sinodit të Shenjtë si kujdestar i fronit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë ndërroi jetë mëngjesin e 25 Janarit në moshën 95 vjeçare një spital të Athinës si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve jetësore.
Tv Klan