Nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Edi Rama rreshtoi fjalët më të bukura e të merituara për figurën dhe veprën e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Përgjatë 33 viteve në vendin tonë, Rama thotë se ai arriti të ringrijë Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe të përcillte mesazhe bashkimi e paqeje.

“Fort të lumë janë tani ata që flenë në Zotin, po thotë Shpirti i Shenjtë le të pushojnë nga punët e shumta sepse veprat e tyre flasin për ta, thuhet në zbulesën e Apokalipsit. Shenjtëria juaj, fort të nderuar hierarkë të Sinotit të Shenjtë të Kishës, fort i nderuar Metropolit Joani, i nderuar kryeministër i Republikës së Greqisë, i mirëseardhur Kyriakos Mitsotakis, komuniteti ortodoks është në zi, kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij në shërbim të shpresëtarëve ortodoksë. Jeta e tij fort e gjatë dhe mbi të gjitha fort kuptimplotë! Plot 33 vite ungjillzim në viset e Shqipërisë nga viti tanimë i largët nga 1992-i e deri më sot janë një shifër tejet domethënëse, 3 vite shërbyen për të predikuar ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare dhe 30 të tjera për të ringritur Kishën Autoqefale të Shqipërisë.”


Si nga pikëpamja e thjeshtë njerëzore apo thellësisht shpirtërore ishte një jetë e përmbushur, përderisa përmes saj u realizua ëndrra e një fëmije. Kur isha fëmijë, kujtonte ai, nuk më mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, por duhet t’i jepesha plotësisht. Doja që gjithë qenia ime të jetonte me Krishtin! Si një hierark me ndikim të madh, personi dhe vepra e tij në krye të Kishës janë admiruar, janë bekuar, qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur kur ka ardhur puna te veprimtaria e njeriut që mori mbi supe zjarrin e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë.

Kjo dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë, në një botë ku gjithnjë e më pak i lihet liri shpirtit të shenjtë të fryjë nga të dojë. Por përtej atyre zjarreve të ndezura, andej e këtej kufirit tashmë të hapur, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit. E bashkoi me përkushtim e durim të madh. Për hirin e pamohueshëm të së vërtetës, gjithë çfarë mban rruzulli, në intelektualë të angazhuar për paqen, në artizanë të komunikimet mes kultit e kulturave dhe deri te kryetarë shtetesh, ja patën shumë zili Kishës Ortodokse.”

Duke ndjerë mirënjohje për prezencën e homologut të tij grek sot në këtë ceremoni lamtumire, Rama e quajti ardhjen e Kyriakos Mitsotakis “mesazh pandashmërie në jetë e zi mes dy popujve”.

“Duke dhënë mesazhin e pandashmërisë në jetë e në zi mes dy vendeve e popujve tanë. Kam pasur privilegjin të jem këtu në Katedrale kur u bë inagurimi i saj, ishte dita e madhe e shpërblimit të mundit të tij të gjatë për ringritjen e saj, kur m’u dha mundësia ta bashkëshoqëroj, fillimisht si kryebashkiak e pastaj si kryeministër. Derisa katedralja hapi dyert, u nderua me pjesëmarrjen e njerëzve nga të gjitha kishat e botës!”, tha Rama.

/tvklan.al