A mund të tejkalohen vështirësitë? Kjo ishte tema e kësaj të premte në emisioin “Rudina” në Tv Klan. E ftuar në  panelin e ditës së sotme ishte stilistja Anila Konomi, e cila ka rrëfyer për vështirësinë më të madhe të saj, humbjen e mbesës së saj të vogël, Lunën. Ajo, e përlotur tregon se dhimbja ka qenë shumë e madhe dhe i është dashur shumë forcë për ta përballuar.

Mbesa e saj e vogël pas festimit të 1-vjetorit u sëmur nga një sëmundje e rrallë, shkaqet e të cilës ende nuk dihen. Stilistja ka treguar për kalvarin e gjatë e të mundimshëm të terapive të mbesës, por edhe të vajzës së saj e cila në vend që të gëzonte fëmijën e saj të parë, iu desh të jetonte çdo ditë duke e ditur se e vogla do ndahej nga kjo jetë.

Anila Konomi tregon se vështirësia më e madhe ishte edhe që pavarësisht dhimbjes që ndiente, duhet të respektonte dhimbjen e vajzës dhe bashkëshortit të saj që t’u linte atyre kohën e tyre me vajzën, e të shfaqej vetëm kur ata e lejonin.

Rudina Magjistari: Më duket aq e pabesueshme, por mesa duket Zoti engjëjt e vërtetë i merr më herët. Çfarë ndodhi me Lunën, engjëllin e vogël?

Anila Konomi: Lunën, kuptohet që ne po e gëzonim. Nga një temperaturë e lartë që ne nuk na e merrte mendja që do ishte një sëmundje kaq fatale.

Rudina Magjistari: Më fal po shikojë imazhet dhe një fëmijë kaq e bukur, një mrekulli.

Anila Konomi: Lunën e kam akoma, Luna është tek unë. Dashuria për të nuk është vetëm dashuri, tashmë  është sublime, ne u përballëm me një temperaturë të lartë, nuk po e besonim. Këtu ia bënë të gjitha  shërbimet, por na thanë se ne nuk e kuptojmë çfarë sëmundje ka. Ajo u sëmur me një leucemi akute, sëmundje shumë e vështirë për të cilën nuk dihet ende shkaku. Shumë e vështirë ka qenë për mua, por edhe për vajzën time, se lindja e parë, kishte të tjera ëndrra, mezi po priste të ndërtonte familje. Mundohej ta mbante veten, lutej çdo natë, mbase nuk është ky nëntip. Shpresonte të ishte më e lehtë, por u përball me nëntipin më të vështirë, iu përmbys bota. Nuk e di ku e gjeti forcën ajo dhe i shoqi për të vazhduar terapinë e Lunës, për të bërë detyrën si nënë luftën.

Rudina Magjistari: Por edhe ti si gjyshe ke qenë shumë e lidhur me të.

Anila Konomi: Unë kam qenë shumë e lidhur, kam qëndruar në spital pothuajse gjatë gjithë kohës. Ishte një terapi aq e lodhshme. Jetuam dy vite e gjysmë. Një terapi tepër e lodhshme. Sakrifica që bënte e  vogla ishte një sakrificë e madhe. Një fëmijë nuk e meriton atë sëmundje. Asnjë fëmijë nuk i meriton këto sëmundje.

Rudina Magjistari: Si ka qenë ajo periudhë për ju. Mjekët ju kishin thënë që është një sëmundje e pashërueshme.

Anila Konomi: Në momentin që ne hymë në atë spital, për ne ishte një gjendje shokuese. Për vajzën e për dhëndrin m’u desh të mblidhja të gjitha forcat, t’i jepja një premtim vetes se këtu jam për Lunën dhe për vajzën time dhe do bëj gjithçka që ne këtë betejë do ta fitojmë. Kështu filloi kjo histori. Pas një beteje shumë të lodhshme, na u tha se nuk ka më shpresë. Këtë duhet të ndaj. Në këtë moment m’u desh të merrja situatën në dorë. Të dish se ku e ka fundin është shumë e dhimbshme dhe të shikosh një çift të ri që nuk e pranojnë që fëmija i tyre do humbasë, kjo ishte jashtëzakonisht e papërballueshme. Më duhej të mblidhja lotët, të mos shprehja asnjë emocion, isha e ftohtë e akullt dhe vetëm do i jepja dashuri Lunës dhe i kisha premtuar se deri në fund do i flisja dhe do i këndoja ninulla. Këtë e bëra deri në fund, por me kujdesin më të madh, pa i marrë kohë vajzës sime, pa i vjedhur atyre kohën, se në fund të fundit ishte fëmija i tyre. Se ndonjëherë dukej se po i hyje në hak vajzës tënde, po i vidhje kohën me fëmijën dhe të gjitha këto situata duhet t’i menaxhoje me kujdes. Këto situata lënë shumë gjurmë, ti o e humbet o e fiton fëmijën./tvklan.al