Ka nisur ceremonia e betimit të Presidentit të 47-të t SHBA-së, Donald Trump. Ceremonia po mbahet brenda Capitol Hill, nën masa të rrepta sigurie ku janë të paktën 25 mijë agjentë. Personalitetet tashmë po hyjnë në të, duke marrë vëmendjen. Kodi i veshjes duket se qëndron te linjat e pastra e klasike që janë shumë të preferuara edhe për vetë Melania Trump.

Ajo u shfaq me një veshje të modës së lartë dhe një kapelë, domethënien e të cilave stilistja Anila Konomi ‘e zbërthen’ në programin “Rudina” në Tv Klan.

Anila Konomi: Kam bindjen që është Dior sepse ajo preferon shumë shtëpinë e Dior-it. 

Rudina Magjistari: Blu e errët me të bardhë.

Anila Konomi: Ka ndërthurur besueshmërinë, autoritetin me paqen sepse bluja është ngjyrë që tregon besueshmëri, miqësi dhe autoritet. E bardha është me paqen dhe ajo e ka ndërthurur këtë gjë.

Stilistja shprehet e bindur se Melania Trump nuk ka një kurator imazhi,  por është plotësisht autonome në zgjedhjet e saj. Sa i përket kapelës, Konomi thotë se shton një dozë misteri.

Anila Konomi: Melania kësaj radhe është mister, nuk e di se ç’ka dashur të thotë, por me mënyrën si është veshur që nuk i duket pothuajse asnjë pjesë e trupit, as sytë nuk i lexohen, ka vendosur të jetë autoritare, misterioze dhe të ngjallë besim.

Konomi është e bindur se kjo do të jetë një nga veshjet më ikonike të Zonjës së Parë.

Anila Konomi: Shumë e pushtetshme mënyra si hyri, kapelja rriste gjatësinë e saj sepse kapelja rrit lartësinë, jep potencë, madhështinë, një veshje që do të ngelet gjatë në histori./tvklan.al