“Për Erinën” është një koleksion kapsulë shumë i veçantë nga Anila Konomi që nisi me një ide të gazetares Anduena Llabani. Një koleksion që nuk vë në qendër veshjet, por disa vepra arti të realizuara nga Erina, një artiste e talentuar me një histori shumë të veçantë.
Gazetarja Anduena Llabani tregon në “Rudina” në Tv Klan si nisi ideja e këtij projekti me esencë njerëzore. Gjatë një darke mes njerëzve të medias, të gjithë morën dhuratë një kravatë me pikturat e Erinës. Kur Anduena mësoi për historinë pas aksesorit, vendosi që në çdo dalje publike të mbante një shall apo kravatë të tillë.
Mjaftoi një takim me Anila Konomin dhe të dyja patën idenë e të krijuarit të një koleksioni që do të nxirrte në pah veprat e Erinës. Por kush është Erina? Historia e saj është plot ngjyra, por edhe mister.
Anduena Llabani: Nga babai i saj mësova që Erina prej disa vitesh, rreth 7 vitesh nuk është më një njeri aktiv në sensin të bëjë një jetë normale, nuk është si ne, nuk komunikon si ne. Ka atë botën e saj.
Rudina Magjistari: Ajo ka qenë ekselente në mësime, ka mbaruar një universitet të huaj që sigurisht nuk është e thjeshtë…
Anduena Llabani: Në Gjermani, po.
Rudina Magjistari: Universiteti i Regensburgut për Psikologji-Neurologji.
Anduena Llabani: Po dhe është një degë shumë e veçantë që nuk ekziston në shumë vende të botës, europiane por…
Rudina Magjistari: Pra ka ardhur një moment dhe ajo ka ndërprerë komunikimin me të gjithë rreth e rrotull.
Anduena Llabani: Me njerëzit, po.
Rudina Magjistari: Kjo ka ndodhur pasi ka mbaruar universitetin.
Anduena Llabani: Pasi ka mbaruar universitetin dhe nga një njeri shumë aktiv, hiperaktiv mbase, Erina ka pasur këtë gjendjen e saj, mbase emocionale, mbase diçka, një traumë në fëmijëri, diçka ka ndodhur me të por nuk ka asnjë gjë shëndetësore në fakt sepse familja e saj ka mundur që të kryejë të gjitha analizat për të parë nëse ekziston ndonjë gjë serioze për shëndetin e saj. Në fund të fundit, le të themi që është zgjedhja e saj.
Rudina Magjistari: Ka 7 vite që ajo ka vendosur të mbyllet në vetvete dhe të ndërpresë komunikimin.
Anila Konomi: Dhe të komunikojë vetëm nëpërmjet artit.
Anduena Llabani: Vetëm nëpërmjet artit dhe ngjyrave, pikturave./tvklan.al