Eglantina Vertopi ishte protagonistja e radhës në emisionin “Doktor Plastik” në Tv Klan. Historia e saj është tejet e dhimbshme.
Ajo i ka mbijetuar kancerit, një sëmundje të rëndë që i ka lënë pasoja fizike dhe psikologjike. Vertopi tregoi se ndërhyrja që ka kryer në gjoks e ka bërë atë vazhdimisht të mos ndihet rehat në raport me bashkëshortin dhe të mos dalë në plazh.
“Jam 52 vjeç dhe kam ardhur tek “Doktor Plastik” për arsye se ka pasur probleme. Kam kaluar një operacion për shkak të një tumori dhe nuk ndjej harmoni me veten time. Jam e martuar prej 34 vitesh dhe kam dy fëmijë. Jemi zhvendosur në Itali në vitin 1991 me eksodin dhe jetojmë atje. Kam pasur një raport shumë të ngushtë me njërën prej motrave të mia, e cila humbi jetën si pasojë e kancerit dhe la 6 fëmijë të vegjël. Para se të vdiste më tha: “Amanet fëmijët”. Fjalët e saj më duket sikur i dëgjoj edhe sot. Në moshën 50 vjeç bëra mamografinë dhe më thanë që ka diçka që nuk shkon. U frikësova sepse kisha humbur motrën nga e njëjta sëmundje, por e mblodha mendjen dhe thash do ia dal. Operacioni zgjati 4 orë dhe kur kam dalë nga salla pashë që diçka në trupin tim mungonte. Në atë moment mendova vetëm që ia dola mbanë. Ishte fitorja ime më e madhe. Më vonë fillova ta ndjeja veten keq në raport intim me bashkëshortin tim edhe pse nuk më ka bërë të ndihem keq. Por unë nuk doja që ai të më shikonte dhe qëndroja gjithnjë e veshur”, tha Vertopi./tvklan.al