Nxënësi 17 vjeçar i cili u plagos me thikë nga shoku i klasës, tregon si nisi konflikti. Nga shtrati i spitalit të Fierit, ai rrëfen se si autori e paralajmëroi se do të postonte në rrjetet sociale fotot e familjarëve të tij. Konflikt ky që kishte nisur rreth një muaj më parë.

“10 minuta para se të futeshim në mësim, ishim tek korridori i klasës, e i themi nëse është e vërtetë që ti ke foto të familjarëve tanë, nëse i ke fshiji. E mbyllet këtu. Ai tha jo…Telefoni është personal. U tensionua nga pyetjet e shumta. Ai reagoi duke nxjerrë biçakun. Ai gjithmonë mbante me vete biçakun. Ai më qëlloi në shpatull dhe në këmbë. U shmanga, u futa brenda në klasë mbylla derën, por nuk e mbaja dot mbyllur për shkak të shpatullës.”

17 vjeçari tregon se ishte mësuesja që e shpëtoi duke e falenderuar për ndërhyrjen. Ai thotë se nuk ka frikë të kthehet në shkollë ndërsa ka një apel për bashkëmoshatarët që kanë probleme, kryesisht për shkak të rrjeteve sociale.

“Nuk kam frikë të kthehem në shkollë. Të ruajnë veten! Nëse kanë diçka të shprehin problemin tek mësuesit, drejtoria apo policia, të mos jenë këtu ku jam unë sot. Atë djalë e kam kapur disa herë.”

Babai i 17 vjeçarit dhe xhaxhai i tij kërkojnë drejtësi ndëra tregon momentin kur mori vesh lajmin.

“Pa shkuar akoma në punë më njoftoi mësuesja dhe tha se djali është goditur pak. Urgjentisht shkoj te urgjenca e Cakranit, atje vura duart në kokë. Asgjë nuk mora vesh si ndodhi ngjarja, më shumë dini ju se unë. Dua drejtësi në vend. I kërkoj Edi Ramës mos të kërkojë llogari vetëm në Tiranë, por edhe në Cakran. Se sot është djali im, nesër është një tjetër. Nuk do e çoj më në shkollë. Nuk ka më siguri, jo vetëm këtu, por edhe në Fier.”

Famirësisht nxënësi është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi në shkollën “Mustafa Hoxha” të Cakranit. Policia shoqëroi autorin, ndërsa mori dëshminë e 2 mësuesve që kanë parë të gjithë sherrin.

Ngjarja ndodhi një muaj pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ky krim i rëndë ngriti në protestë prindër dhe shoqërinë civile duke kërkuar më shumë siguri në shkolla.

Klan News