Një konflikt i nisur në “Snapchat” mes dy adoleshentëve është zhvendosur në oborrin e shkollës së mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit, aty ku mëngjesin e kësaj të premte një 17-vjeçar plagosi me thikë në krah një bashkëmoshatarin e tij.

I mituri që u plagos, u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori është shoqëruar në komisariat, ndërsa është sekuestruar mjeti prerës.

Në momentin kur është regjistruar konflikti, burime bëjnë me dije se prezent kanë qenë dhe dy mësuese të shkollës të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë 17-vjeçarit të plagosur.

Oliana Gjergjefi, prokurore: Kemi pyetur disa dëshmitarë okularë, dy mësuese që kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë, garantojmë hetim të plotë dhe të gjithëanshëm.

Kjo ngjarje vjen një muaj pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjes së shokut të tij nga një 14-vjeçar në afërsi të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku sërish motiv u bë përshkallëzimi i një konflikti të nisur në rrjetet sociale.

Tv Klan