Adoleshenti, i cili mëngjesin e së premtes plagosi shokun e klasës brenda ambienteve të shkollës “Mustafa Hoxha” në Cakran, u paraqit para gjykatës sot. Ai u njoh me masën e sigurisë arrest me burg dhe mjekim në spitalin e burgut, pasi dy ditë më parë u vu në pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.

Gazetarja Anila Sefa ka mësuar se avokati i autorit kërkoi arrest ne shtëpi sepse 17-vjeçari ka thënë në seancë që është në ankth prej ditësh.

Sipas dëshmisë së të plagosurit, konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale. Ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.

Kujtojmë se adoleshenti e goditi shokun e klasës 4 herë me thikë. Vetë i mituri i plagosur ka rrëfyer se shpëtoi falë ndërhyrjes së mësueses.

“Ai më qëlloi në shpatull dhe në këmbë. U shmanga, u futa brenda në klasë mbylla derën, por nuk e mbaja dot mbyllur për shkak të shpatullës. Në ato momenti erdhi mësuesja dhe më shpëtoi nga ai djali”, tha i dëmtuari.

Kjo ngjarje vjen një muaj pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit M.C dhe plagosjes së shokut të tij, nga një 14-vjeçar në afërsi të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku sërish motiv u bë përshkallëzimi i një konflikti të nisur në rrjetet sociale./tvklan.al