Protestat e opozitës do të vazhdojnë dhe do të jenë afatgjata. Kryesocialisti, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës i ka bërë të ditur këtë vendim Presidentit të Autoritetit Lokal dhe Rajonal, të Këshillit të Europës z. Ian Mikalef, gjatë vizitës që ai po zhvillon në vendin tonë.
Edi Rama: “E njoftova për masat që ne po marrim në drejtim të një proteste të fortë dhe një proteste të gjatë deri kur qeveria të kthehet në rrugën e respektimit të autonomisë vendore, të kartës europiane të autonomisë, kushtetutës dhe të ligjit”.
Por gjatë takimit që kongresmeni i komisionit Evropian Mikalef ka zhvilluar me kreun e ekzekutivit, sipas zyrës së shtypit të kryeministrit Berisha, ai e ka parë me shqetësim dhe skepticizëm përpjekjen e opozitës për të krijuar mosbesim në klimën politike, që sipas tij nuk përputhet dhe nuk i shërben realitetit që ekziston sot në Shqipëri.
Duke folur për autonominë e pushtetit lokal, Mikalef ka vlerësuar përkushtimin e Berishës për të forcuar autonominë e pushtetit lokal dhe për t’i mbështetur ato financiarisht dhe me të gjitha mënyrat në punët e tyre, duke përmbushur në këtë mënyre kriteret e kartës europiane për vetëqeverisjen vendore. Në të njëjtën frymë është zhvilluar dhe bashkëbisedimi që kreu i Kongresit të Komisionit Evropian, ka zhvilluar me Presidentin e Republikës Topi, ku ka theksuar nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit mes dy pushteteve, atij vendor dhe pushtetit qendror./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka