Hetuesit dyshojnë për larje hesapesh mes grupesh

Një 42-vjeçar shqiptar është ekzekutuar në një atentat të tipit mafioz mbrëmjen e së premten në Alfas del Pi një qytet turistik në afërsi të Valencias në Spanjë.

Mediat vendase shkruajnë se shqiptari i identifikuar si Brandon Bregu ishte duke ngrënë darkën me bashkëshorten e tij në tarracën e këtij restoranti. Rreth orës 21:50 pranë tij është afruar një person me kapuç në kokë që ka hapur zjarr me pistoletë duke lënë të vdekur në vend shqiptarin.

Autori është larguar më pas qetësisht në këmbë. Dëshmitarët njoftuan menjëherë ekipet e emergjencës, por shqiptari nuk mundi të mbijetojë për shkak se kishte 5 plagë në trup.

Mediat spanjolle citojnë burime të policisë gjyqësore që po hetojnë ngjarjen në atë të larjes së hesapeve mes grupeve të ndryshme. Shqiptari kishte vite që jetonte në provincën e Alicante-s dhe se ishte një precedent penal në të kaluarën.

Hetuesit kanë marrë rrëfimet e dëshmitarëve ndërsa kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë. Sipas të njëjtave burime hetimet janë të hapura dhe se po verifikohen disa pista.

Tv Klan