Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ishte i ftuar në emisionin “Opinion” për historinë e kësaj partie, fushatën e parë elektorale në këto zgjedhje, si dhe për jetën e tij.

Idrizi u shpreh: “Në vitin 1991 shoqata “Çamëria” ishte një nga shoqatat e para pluraliste, e cila risolli dhe rizgjoi në skenën politike shqiptare çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, si një nga çështjet madhore të pazgjidhura të çështjes kombëtare shqiptare. Për shumë vite, njerëz të nderuar të kësaj shoqate u munduan që të ushtrojnë presion apo të suportojnë forca të ndryshme politike shqiptare, në mënyrë që çështja çame të merrte vendin e vet në axhendën diplomatikë, apo në rrugën e zgjidhjes. Në vitin 2004 kjo shoqatë kërkoi që parlamenti të miratonte një rezolutë për çështjen çame. Jo vetëm që nuk u miratua, por anëtarët u gjakosën në dyert e parlamentit. Një skenë kjo shumë e rëndë, e cila solli krijimin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Ky ishte një hap akoma më cilësor i përfaqësimit politik të këtij komuniteti. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur nga kjo parti doli 1 deputet, të cilit iu bashkova dhe unë, ne formuam PDIU, duke i dhënë një përmasë shumë më të madhe. E vetmja pjesë e çështjes kombëtare shqiptare, e cila është lënë pas dore nga politika shqiptare në mënyrë tëpadrejtë, është çështja e shqiptarëve të Çamërisë”./tvklan.al