Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komisioni kuvendor i Rendit dhe i SHISH-it ka thirrur për të sqaruar mbi veprimin e forcave speciale në Lazarat, Ministrin e Rendit Igli Toska. Ministri ka renditur në raport një numër ngjarjesh kriminale të ndodhura para dhe pas 97, si dhe emrat e disa individëve nga Lazarati si autorë të dyshuar apo të dënuar në mungesë.
Ndërsa për ndërhyrjen e RENEA-s në komunën e Lazaratit ku mbetën të plagosur dhe 5 persona ndër ta vetëm njëri i arrestuar, si i shpallur në kërkim, ministri ka këmbëngulur se në lokal është qëlluar ndaj forcave RENEA dhe më pas blutë janë detyruar të përgjigjen.
Igli Toska: “Nuk mund të kundërshtohen forcat e policisë, aq më tepër, të përdoren akte dhune, apo të qëllohet me armë ndaj tyre. Kjo është një çështje që prokuroria ka nisur hetimin.”
Shaban Memia: “Kosto për të organizuar këtë operacion ka qenë shumë e lartë, janë plagosur 4 qytetarë të pafajshëm. Asnjëri nga këta që janë në kërkim nuk janë plagosur. Së dyti, rezulton nga informacionet tona, që atje ka një tejkalim të kompetencave të ligjit. ka pasur një situatë terrori në tërë fshatin, nuk mund ta thotë askush.”
Sipas kryetarit të komisionit Neritan Ceka, rreth 3700 banorë të Lazaratit, mbahen peng për shkak të disa personave të inkriminuar dhe për këtë policia dhe ministria, duhet të mbajnë përgjegjësi.
Neritan Ceka: “Unë kam vetëm një pyetje zoti ministër, si është e mundur q ënë një shtet ku keni 12 mijë policë, ku kemi armë, ku keni helikopterë, ku keni ligjin me vete, ku gjykatat veprojnë, ku ekonomia ecën, ku transporti është i hapur, ku po integrohemi në Europë, dhe ky është i vetmi vend në Europë që është jashtë kontrollit të policisë, kjo është pyetja e vetme e imja.”/tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj