Bordi mbikëqyrës i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” i përbërë nga zyrtarë të Ministrisë së Sporteve dhe asaj të ekonomisë është mbledhur sot dhe ka vendosur shkarkimin nga detyra të drejtorit të stadiumit, Perikli Dhales. Lajmi është bërë publik në orën 15.00 në një konferencë për shtyp.

Indrit Fortuzi: “Duhet t’ju vë në dijeni se me urdhër të ministrit është ngritur një grup pune me përfaqësues të ministrisë sonë dhe të Ministrisë së Ekonomisë për të marrë nën shqyrtim një reformë të thellë në drejtimin e ambienteve sportive, pra stadiumit kombëtar, Qemal Stafa, dhe të pallatit të sportit të ndryshojë formën e administrimit të këtyre ambienteve sportive. Dua të theksoj edhe një herë se shkarkimi i drejtorit aktual bëhet për shkak se ai lejoi fillimin e ndeshjes dhe pse nuk kishin marrë masat e parashikuara në rregulloren të vendosur nga UEFA dhe FIFA, të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ të energjisë elektrike”.

Largimi i Dhalesit nga detyra u lajmërua në mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion nga vetë Ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri.

Ferdinand Xhaferri: “Unë si Ministër i Kulturës për atë përgjegjësi që kishte drejtori i stadiumit që ka pranuar të zhvillohej aktiviteti pa marrë garancitë që sot komunikova me anëtarët e bordit që nesër të shkarkohet.”

Defekti që solli një vonesë prej 90 minutash u shkaktua në transformatorin që i përkiste vetëm shtyllave që ndriçojnë fushën e “Qemal Stafës”.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka dërguar një tjetër transformator dhe kështu është bërë i mundur zhvillimi i pjesës së dytë të ndeshjes Gramozi-Real Madrid.

Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona për t’u marre ne pyetje ne lidhje me ngjarjen. Ata janë punonjës te KESH-it dhe te OSSH-se.

Për te hetuar është ngritur dhe një grup prej 9 ekspertesh, te cilët kane konkluduar se ngjarja është aksidentale dhe se nuk ka elementë te veprimit te qëllimshëm.

Deri diku ngjarja e djeshme është zbardhur ndërsa letërkëmbimi mes kompanisë Taçi Oil, OSSH-se dhe stadiumit kombëtar, Qemal Stafa, tashme është ne duar e prokuroreve.

Mësojmë se nga ne këtë letërkëmbim kompania Taçi Oil kishte kërkuar marrjen e masave për energjinë gjate zhvillimit te ndeshjes, një kërkese e cila i është garantuar nga KESH  dhe OSSH.

Ne këtë letërkëmbim nuk është folur për marrjen e masave ne rast defekti, siç është pajisja me gjeneratorë.

Ndonëse blackout-i ia humbi shkëlqimin kësaj ndeshjeje dhe Real Madridit, duhet thënë se ajo te paktën ia vlejti për faktin se të ardhurat nga biletat e këtij takimi do të shkojnë për të ndihmuar familjet e goditura nga përmbytjet në veri-perëndim të vendit, si dhe se ikona e futbollit shqiptar, Panajot Pano, u nderua edhe nga yjet e futbollit botëror, si Ronaldo, Kaka apo Raul Gonzales./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe