Kombëtarja shqiptare dhe zhvillimi i futbollit në vendin tonë ka qenë fokusi i televizionit italian “SKY”. “Një projekt në avangardë” është titulli i speciales së medias fqinje, që ka në qendër suksesin e Kombëtares me kualifikimin për në Euro 2024 dhe evolucionin e infrastrukturës sportive falë mbështetjes dhe vizionit të FSHF.
Armand Duka (President i FSHF-së): Futbolli është sporti më i dashur në Shqipëri dhe fatmirësisht nuk kemi konkurrencë në sport, pasi të gjithë shqiptarët duan të bëhen futbollistë, prandaj që t’i kënaqim të gjithë, duhet të bëjmë më shumë. Gjëja që më bën më shumë krenar me Federatën është funksionimi shumë i mirë që ka, pasi janë krijuar baza të forta për të ardhmen. Me këtë staf kemi ndërtuar infrastrukturë, stadiumin “Air Albania”, “Shtëpinë e Futbollit”, fusha sportive dhe shkollën e futbollit. Të gjitha këto i kemi arritur, pasi kemi krijuar një strukturë të fortë organizimi”.
Presidenti i FSHF, Duka tregon rrugëtimin e sektorit teknik të Federatës dhe Kombëtares shqiptare, që do të sfidojë në Grupin B të Europianit pikërisht Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.
Armand Duka (President i FSHF-së): “Jemi shumë të kënaqur që jemi në Euro 2024, por edhe që luajmë kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. I ftoj të gjithë lojtarët dhe tifozët ta jetojnë këtë sukses që kanë arritur. Ne shkojmë atje për të luajtur, shkojmë për të dhënë më të mirën, por duke shpresuar edhe për rezultat pozitiv. Jemi të ndërgjegjshëm për nivelin e skuadrave që do të kemi përballë, por shpresojmë të rrimë në Gjermani sa më shumë të jetë e mundur”.
Kombëtarja shqiptare luan në Euro 2024 kundër Italisë më 15 qershor në stadiumin e Dortmund, për të sfiduar më pas Kroacinë më 19 qershor dhe Spanjën më 24 qershor. Kampionati europian i kësaj vere do vijë falas dhe ekskluzivisht në Tv Klan.
Klan News