Është akuzuar nga opozita se ka abuzuar me miliona euro në shëndetësi dhe se ka përfituar prej tyre. Por edhe pse kundërshtarët i thonë se është i pasur, Ilir Beqaj ka refuzuar të paguajë në SPAK 120 mijë lekë për ta marrë dosjen me vete, siç ndodh rëndomë.
Për këtë arsye ish-Ministri i Shëndetësisë u mbyll në zyrat e Prokurorisë së Posaçme prej orës 09:00 të mëngjesit për të lexuar dosjen brenda ambienteve dhe doli prej andej në orën 16:30 të pasdites. Për shkak se dosja është voluminoze dhe afati 10 ditor për zhvillimin e seancës paraprake përfundon të premten, Baqaj qëndroi për afro 7 orë në SPAK dhe pas daljes tha se kishte mundur të lexonte 15 fashikuj të saj.
“Kemi bërë njohjen me dosjen, ju e dini që është 700 fashikujt, sot arritëm të shohim 15 fashikuj. Ligji lejon vetëm 10 ditë për këtë proces”.
Më herët avokati i tij e justifikoi këtë veprim të Beqajt, duke thënë se tarifa e vendosur nga SPAK-u është shumë e lartë.
“Ne dhe të gjithë të pandehurit e tjerë refuzuam të paguajmë gjithë këtë faturë dhe bëmë kërkesë që të njihemi me aktet e dosjes fizikisht.”
SPAK-u e vendos tarifën në bazë të volumit të materialeve që duhen skanuar dhe printuar. Bëhet fjalë kryesisht për skanimin e 190 mijë faqeve për 9 të pandehurit për dosjen e koncesionit të sterilizimit.Por ish-ministri nuk e pa të arsyeshme të paguajë pjesën që i takon për prokurorinë, që e akuzon shpërdorim detyre në bashkëpunim. Beqaj është marrë i pandehur me vartësin e tij Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin e sterilizimit dhe 6 persona të tjerë.
Tv Klan