Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka konfirmuar dhe një herë se do të garojë i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nën siglën e koalicionit “E majta për integrim” të krijuar prej tij kohë më parë.

Ndërsa ka bërë publike përfshirjen e ish-anëtarit të kryesisë socialiste, Petro Koçi, në radhët e grupit parlamentar të LSI-së, Meta tha se ky grup ashtu si koalicioni do të mbajë emrin “E majta për integrim”.

Ilir Meta: “Ky nuk është një raport mendoj koniunktura, është një raport strategjik dhe afatgjatë për ripërtëritjen e të majtës dhe të gjithë forcave progresiste në Shqipëri. Do të vijoja jam i bindur me shumë sukses në të ardhmen edhe me ndërtimin dhe me konfigurimin e një koalicioni fitues”.

Deputeti Koçi tha se bashkëpunimi me LSI-në do të shtrihet si në rrafshin parlamentar dhe atë elektoral më vonë.

Kreu i LSI ka konfirmuar sërish se mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjithë socialistët, të cilët kanë kontribute për të dhënë dhe kërkojnë një tribunë për të dhënë fjalën e tyre./tvklan.al