Ish-kryeministri Ilir Meta ka sqaruar se synimi i tij nuk është ndarja përfundimtare nga Partia Socialiste, por forcimi i demokracisë së shkatërruar nga kongresi i famshëm i dhjetorit.
Ilir Meta: Ne nuk synojmë ndarjen e Partisë Socialiste, por përkundrazi me këtë rast do t’u përgjigjesha të gjithave edhe atyre shokëve të Partisë Socialiste, që dje kanë thënë se është koha që o të ndahemi, o të bashkohemi, dua t’u them se në rast se ata dëshirojnë të ndahen nga Partia Socialiste, madje ata politikisht dhe moralisht janë ndarë nga Partia Socialiste, sepse ata janë kthyer në mbrojtës të monopoleve, janë kthyer në përgjegjës për rritjen e varfërisë në vend.
Megjithatë në rast se nuk do të ketë bashkëpunim brenda partisë ish-kryeministri Meta, pranoi se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të testojë elektoratin.
Ilir Meta: Ndarja do të ishte e fundit fare, por ne nuk e dëshirojmë dhe nuk kemi ndërmend të nxitohemi. Ne besojmë ende në një proces ndërgjegjësimi, jo thjesht të këtyre drejtueseve aktual, sepse këta janë përgjegjës për të gjithë këtë situatë në të cilën ndodhet vendi dhe për të gjithë këtë situatë që ka Partia Socialiste. Ne do të komunikojmë edhe më tej me të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike dhe padyshim në qoftë se do të jetë e pamundur për të arritur rikthimin e Partisë Socialiste në një normalitet demokratike. Rikthimin e Partisë Socialiste në programin dhe në vlerat e saj të vërteta politike, atëherë pa dyshim, alternativa që ne përfaqësojmë do të gjejë formën e duhur institucionale për t’ju drejtuar elektoratit të majtë dhe për t’ju drejtuar votuesve në të ardhmen.
Deputeti Meta sqaroi deklaratën e një dite më parë për ndryshimet në qeveri se vota e tij nuk do të jetë bllokuese në kuvend, ashtu sikurse është dhënë vota pro ndaj çdo projektligji që i shërben integrimit të vendit në Evropë.
Ilir Meta: Nuk do të vazhdojnë më drejtuesit e qeverisë dhe të mazhorancës që t’u thoin diplomatëve të huaj se kur ta u kërkojë që të heqin të gjithë ministrat dhe zyrtarët që kane konflikte interesi dhe kanë probleme korrupsioni, nuk mund të thonë më e të përdorin si alibi që ne duam t’i heqim, sepse ne e dimë kush janë në qeveri ministrat me konflikte interesi dhe me probleme korrupsioni po nuk i heqim dot se na bllokon grupi i Metës apo disa deputetë. Absolutisht për të hequr ministra të tillë vota jonë është e gatshme gjithmonë.
Ish-kryeministri Meta komentoi skualifikimin e Shqipërisë nga fondi amerikan i Mileniumit, arsyet sipas tij nuk ishin të ardhurat e larta për frymë siç deklaroi kryeministri Nano, por nivelet e ulëta të mirëqeverisjes dhe luftës ndaj korrupsionit./tvklan.al