Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një raport i OSBE-ODIHR ka mbërritur në selinë e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Rekomandimet e institucioneve të huaja monitoruese, angazhojnë dy forcat e mëdha politike në vend të negociojnë për reformën zgjedhore, e pikërisht për balancimin e KQZ, duke ndërhyrë në Kushtetutë.

Gatishmërinë për të zbatuar sugjerimet e OSBE-ODIHR e ka shprehur sekretari për çështjet juridike në PD Ilir Rusmali, por sipas tij, duhet vullnet nga mazhoranca socialiste për t’u ulur në një tryezë, në mënyrë që të negociohet për këtë pikë kaq të rëndësishme, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ilir Rusmali: “Ekspertët në këtë raport rekomandojnë ndërhyrjen në dy dispozita domethënëse për zgjedhjet, në dispozitën që ka lidhje me kompozimin e KQZ, neni 154 të Kushtetutës, vetëkuptohet në vijim pastaj edhe në dispozitën përkatëse të kodit zgjedhor, që bën fjalë për kompozimin e KQZ. Shpresojmë shumë që kjo të bind edhe PS, që të ulet në tryezë me vullnet të mirë pozitiv, ashtu siç e kërkon edhe raporti i ODIHR-it dhe ky vlerësimi i undit që vjen edhe nga ekspertët. Deklarimet e deritanishme nga faktori politik shqiptar lënë të kuptohet, që nga spektri i majtë, nuk ka fort dëshirë për të prekur kushtetutën”.

Në këtë raport, kërkohet që mandati i qeverisjes vendore të mos jetë më trevjeçar, por i njëjtë me atë të parlamentit./tvklan.al