27 vjet më pas, në krah të ikonës së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli është njeriu që lajmëronte themelimin e Partisë Demokratike, figura historike e saj Arben Imami, që deklaron publikisht se kjo forcë politike është shkatërruar dhe autor i shkatërrimit është Lulzim Basha.

Themeluesi Imami dhe ikona e PD -së, Topallit kërkuan mbledhjen e forumeve drejtuese për të vendosur shkarkimin e Lulzim Bashës. Një kërkesë kjo jo vetëm për faktin se Basha ka ndërtuar një listë kandidatësh humbëse dhe të mbushur me klientë të tij e të familjes, por se ka shkelur edhe statutin.

Statuti i Partisë Demokratike, në nenin 37, pika D, përcakton se është Këshilli Kombëtar ai që 

vendos të gjitha kandidaturat elektorale, sipas propozimit të Kryesisë së PD, me përjashtim të atyre që ky Statut i parashikon ndryshe.

Ikona e Partisë Demokratike, ish – Nënkryetarja e saj Jozefina Topalli thotë se është koha që Partia Demokratike të largojë sëbashku me Bashën edhe Edi Ramën dhe Ilir Metën, pasi se bashku janë në një garë të vetme, atë të ndarjes së tortës së pushtetit.

Imami e Topalli kërkuan reagim sa më të shpejtë të forumeve drejtuese të Partisë Demokratike, për të arritur një vendimmarrje përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Të pyetur nëse ishin konsultuar me ish – Kryeministrin Berisha, ata dhanë këtë përgjigje.

Figurat kryesore të Partisë Demokratike ftuan demokratët e qytetarë të tjerë t’u bashkohen nismës së tyre.

Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike ka shkaktuar reagime të forta që prej publikimit të saj, pasi Lulzim Basha përjashtoi nga kjo forcë politike themeluesit dhe figurat historike, si dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish – Kryeministrit Berisha dhe thuajse të gjithë ministrat me të cilët ai qeverisi për 8 vjet me radhë, në kabinetin ku bënte pjesë edhe Lulzim Basha.

***

Ora 12:20/ Pas mospërfshirjes në listat e Partisë Demokratike, ish – Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ish – Ministri Arben Imami, dy prej anëtarëve më të vjetër të kësaj force politike kanë dalë këtë të hënë në një konferencë për mediat.

Teksa theksoi se lista është përpiluar nga një njeri i vetëm, Imami tha se ajo është bërë në shkelje të statutit. Ai bëri të ditur se do të kërkojnë mbledhjen e forumeve të Partisë Demokratike, me qëllim shkarkimin e Bashës.

“Lista ka krijuar një shqetësim të madh, probleme serioze, reagime të qytetarëve, militantëve, atyre që e kanë mbështetur PD. 

Ne kuptojmë se mesazhi i tyre është që nuk mund të largohet Edi Rama duke shkatërruar Partinë Demokratike. Vendimi për këtë listë është marrë nga një njeri i vetëm. Është marrë në shkelje të statutit, është marrë në shkelje të çdo procedure normale të një partie në një vend perëndimor. Është marrë në shkelje të ligjit, sepse statuti i partisë depozitohet në gjykatë dhe është ligj dhe si i tillë në fakt është nul. Por edhe më shumë se kaq. Në gjithë këto vite nuk ka qenë traditë e kësaj partie, mund ta them edhe unë edhe Topalli, që të mos konsultohen dhe të mos merren vendime aty ku duhet, në forumet e partisë. Ne kërkojmë si zgjidhjen e vetme në këtë situatë mbledhjen e forumeve të Partisë Demokratike, shkarkimin e personit përgjegjës, që në këtë rast është kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë, Këshillit Kombëtar, të Kryesisë, të ecim në këtë drejtim sepse nuk ka kohë. Kemi marrë këtë vendim pasi e kemi analizuar mirë dhe sepse e dimë se në 26 Qershor do të jetë shumë vonë. Kjo është një listë humbëse”.

Nga ana e saj, Topalli u shpreh se është koha për të nisur betejën kundër Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Sipas saj, vendi nuk mund të sundohet nga tre vetë që bëjnë garë apo lojë me njëri – tjetrin kush të kapë më shumë nga ajo që është torta e pushtetit.

 

Ish – Kryeparlamentarja tha se lista, me pak përjashtime, është lista e familjes Basha, bizneseve të tyre dhe klientëve të tij.”

Kur kam hyrë për herë të parë në parlament në ’96, nuk ishte parlamenti më politik, por njerëz me një CV që nderonte jo vetëm parlamentin dhe vendin, por i jepte nderim PD. Sot po ndodh e kundërta, jo vetëm që nuk ka konsultime, janë shumë pak demokratë që janë në atë listë dhe jo vetëm që nuk ka asnjë emër që nuk i thotë asgjë PD, por unë e kuptoj sa keq ndihen ata. Nuk besojnë në atë që po u ofrohet. Ndoshta Basha i përdor si alibi për të thënë se kjo është PD. 

Kam pasur një dyshim prej kohësh që kjo nuk është PD, sot nuk kam asnjë dilemë që kjo nuk është PD që unë njoh, me të cilën unë kam punuar dhe jam rritur. Kjo është një parti logon e së cilës e ka marrë Lulzim Basha për llogari të interesave familjare, klienteliste të tij. Lista në terësinë e saj, me pak përjashtime është lista e familjes Basha, bizneseve të tyre dhe klientëve të tij.

/tvklan.al