Në një prononcim për gazetarët pas daljes nga mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, ku u shqyrtuan ndryshimet statutore të partisë, Arben Imami tha se kishte bërë disa propozime.
“Ato për të cilën unë jam shprehur në mënyrë të posaçme është që Këshilli Kombëtar të marrë një autonomi duke zgjedhur një kryetar të tij. E dyta të ketë një komision zgjedhor në parti, që të mos ketë më pretendime si ato që patëm verën e shkuar për zgjedhjen e kryetarit. E treta, që duhet vendosur qartë dhe në mënyrë përfundimtare: sa palë zgjedhje duhet të humbë një kryetar që të largohet nga kjo parti. Dhe kjo nuk është çështje vetëm statutore, ky është një problem politik. Nëse kryetari i partisë do t’i fshihet përgjegjësisë politike në humbje të një pas njëshme në zgjedhje, atëherë askush nuk do ta ndjekë dot më kryetarin, partinë dhe të gjithë ne”.
Imami tha se propozimet e tij u morën shënim nga grupi i punës.
/tvklan.al