Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pas letrës së përbashkët të katër komuniteteve fetare të cilat kërkojnë pronat e tyre, sot për TV Klan është prononcuar edhe imzot Rrok Mirdita. Ai ka theksuar se kthimi i pronave për komunitetet fetare do të thotë më shumë pavarësi ekonomike.
Rrok Mirdita: “Të gjithë jemi të prekur nga fakti i moskthimit të pronave dhe të gjithë kemi probleme nëpër gjykata, manej edhe për faktin që këto institucione duhet të funksionojnë dhe varësia financiare shpesh herë nga të huajit nuk i jep, jo vetëm që e pengon zhvillimin e lirë të këtyre komuniteteve, veprimtaritë e tyre, por i bënë disi dhe të varura, për shkak të financave, për shkak të mungesës së financimit të veprimtarive të tyne përkatëse më thelbësore. Në tërësi pothuajse s’kemi marrë asgjë. Manej përsa i përket edhe shtëpiave, sikurse i qujmë ne shtëpitë kanonike, ato që kanë qenë pjesë e famullinave, si në Durrës, ose në Tiranë, më anej për të mos folur për arkivat tona, të cilat janë pjesë e administratës të kohës së cilës i përkasin”.
Letra e përbashkët është formuluar në datën 22 Korrik dhe i është dërguar presidentit të republikës, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa komisioni i kthimit të pronave të ish-pronarëve, institucion që varet nga kryeministria, është ai që pritet të shqyrtojë këtë letër të përbashkët. Ndërkohë që këtu ka mbërritur një letër nga zv/kryeministri për të shqyrtuar kërkesën e përbashkët të katër komuniteteve fetare që kërkojnë kthimin e pronave të tyre./tvklan.al