Prokuroria e Përgjithshme do të nisë hetimet për trafik armësh nga Shqipëria drejt Afganistanit, nisur nga zhvillimet më të fundit mbi hetimet amerikane për kompaninë AEY të Efraim Diverolit. E cila ka pasur një kontratë tregtimi me kompaninë shqiptare Meico.
Një fakt të tillë e ka konfirmuar kryeprokurorja Ina Rama pas një raportimi mbi punën e prokurorisë në komisionin e ligjeve. Por Rama ka përjashtuar mundësinë e nisjes së hetimit për zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë pas letrës së kryetarit të komisioni të Kongresit për mbikëqyrjen dhe reformat qeveritare Henry Waxman, drejtuar departamentit amerikan të shtetit.
Ina Rama: “Dëshmia e Diverolit është në funksion të kësaj piste hetimi të trafikimit të armëve. Jemi drejtuar shtetit amerikan, jemi drejtuar organeve homologe të drejtësisë amerikane, për të marrë jo vetëm dëshminë e Diverolit, për të marrë një sërë provash që ne i çmojmë të nevojshme për hetimin tonë për çështjen e Gërdecit dhe që mendojmë që mund të na serviren nga drejtësia amerikane dhe shoqëruar kjo kërkesë bashkë me pyetjet konkrete për të cilat ne mendojmë se duhet të japë shpjegime Diveroli. Nuk kemi asnjë të dhënë për përfshirje të zyrtarëve të ambasadës amerikane në këto momente.”
Në lidhje me hetimet për çështjen e Gërdecit kreu i akuzës shqiptare ka folur edhe në komisionin e ligjeve e pyetur nga deputetët e opozitës.
Ina Rama: “Qoftë çështja e Gërdecit, qoftë çështja e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, janë çështje shumë sensitive. Është e përfshirë e gjithë shoqëria shqiptare në hetimin e tyre, i gjithë organi i akuzës shqiptare është i angazhuar për t’i hetuar plotësisht këto çështje. Për t’u shkuar atyre deri në fund dhe nuk mund të them, nuk mund të bëj prezent pengesa serioze nga asnjë institucion tjetër shtetëror në hetimin e këtyre çështjeve.”
Në komisionin e ligjeve kryeprokurorja Ina Rama ka ngritur si shqetësim çështjen e financimeve nga buxheti i shtetit të cilat janë të pamjaftueshme për të realizuar të gjitha hallkat e hetimit të akuzës./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama