Prioriteti i mazhorancës së djathtë, lufta kundër korrupsionit ka hyrë në një fazë të re sot me nënshkrimin nga USAID dhe qeveria shqiptare të fazës së dytë të programit prag të korporatës së “sfidës së mijëvjeçarit” për Shqipërinë.
Kjo marrëveshje dypalëshe për zbatimin e fazës së dytë, që do të zgjasë 2 vjet dhe ka një vlerë 15.7 milion dollar, është nënshkruar në prani të kryeministrit Berisha dhe ambasadorit të SHBA në vendin tonë John Withers.
Për kryeministrin kjo fazë e dytë, pason suksesin e projektit aktual që përfundon në mesin e nëntorit dhe që është fokusuar në uljen e korrupsionit në prokurimet publike, administratën tatimore dhe në regjistrimin e biznesit.
Sali Berisha: “Sot në sajë të këtij programi, vendi ka një ligj të ri. Sot në sajë të këtij programi, ka një praktikë krejtësisht tjetër moderne, elektronike, e cila siguron një transparencë të pa krahasueshme me të gjitha metodat e deri sotme.”
Kryeministri Berisha ka premtuar, se nuk do të ndalë përpjekjet e tij, për ta renditur Shqipërinë në listën e vendeve me nivelin më të ulët të korrupsionit, sfidë që siç e pranoi dhe vetë ai arrihet vetëm me reforma që kërkojnë dhe mbështetjen edhe asistencën e ndërkombëtarëve, e në mënyrë të veçantë SHBA.
Për ambasadorin Withers mbështetja që kërkon Qeveria Shqiptare nga ana e SHBA, nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë, por kjo qeveri duhet të kuptojë tha ai, se demokracia është shumë thelbësore për një shtet si Shqipëria për të ecur përpara në rrugën e integrimit.
Duke ripërsëritur edhe njëherë deklaratat e një ditë më para gjatë shfaqjes në krah të kryeprokurores Rama, Withers kërkoi nga Qeveria Shqiptare që kjo demokraci të bazohet në respektimin e pavarësisë së pushteteve, çështje për të cilën Withers ka shprehur hapur shqetësimin e tij.
John Withers: “Amerikanët janë shumë seriozë për çështjet që kanë të bëjnë me demokracinë, kjo është arsyeja pse jam i shqetësuar në lidhje me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Dikush më tha mbrëmë se shqetësimi im është i bazuar mbi keqkuptime. Ne amerikanët e dimë se si funksion një sistem demokratik, si unë si qeveria ime e kemi mbështetur shqetësimin tonë mbi realitetin dhe jo keqkuptimet. Veprimet që bëri ministria e drejtësisë dhe ajo e brendshme këtë fundjavë janë shqetësuese sepse janë të vërteta. Projektligji për administratën e gjyqësorit që ndodhet në parlament, cenon pavarësinë e këtij sistemi, përbën shqetësim sepse është real. Angazhimi parlamentar pa asnjë arsye legjitime për të hetuar prokuroren e përgjithshme është shqetësues sepse është real. Ne do t’i ndjekim me vëmendje këto zhvillimi nga afër dhe do të jemi serioz në qëndrimin tonë. Bashkë ne mund të realizojmë ato aspirata që shqiptarët kanë për demokracinë.”
Më herët në fjalën e tij kryeministri Berisha deklaroi se pavarësia e pushteteve është prioriteti i qeverisjes së tij. Por kjo pavarësi sipas tij, rrënues kryesor ka korrupsionin, i cili duhet të luftohet.
Sali Berisha: “Askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën, duke mos parë në kopshtin e tij. Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri jashtëzakonisht të rëndësishëm nga impunjiteti në dënim, nga mos dënimi në dënim dhe kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie. Ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë. Natyrisht përderisa gjykatës apo prokurorë në 10 apo 12 vite nuk është përballur me ligjin, pavarësisht çdo lloj vepre që ka kryer. Kjo çështje mbetet për tu zgjidhur dhe mbetet për tu zgjidhur nëpërmjet reformave.”
Faza e dytë e këtij programi do të përqendrohet në reformat e pjesëve të korruptuara të administratës publike, në forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit, si dhe në forcimin e ligjit në luftën kundër korrupsionit. /tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka