Politika ka reaguar pas deklaratës së ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë, referuar përplasjes më të fundit qeveri-prokurori mbi çështjen Fazlliç.

Astrit Patozi tha, se mazhoranca mbetet e interesuar të evitoj përplasjet institucionale. Në këtë funksion ecën dhe iniciativa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar pas zhvillimeve mbi këtë çështje.

Astrit Patozi: “Unë besoj që ne e kemi dhënë përgjigje edhe këtij shqetësimi me iniciativën tjetër të mazhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë pikërisht këtë përplasjen ndër institucionale e cila e theksoj është e pa këndshme për këdo në Shqipëri edhe për ne si mazhorancë dhe nuk duam që të përsëritet, nuk duam që ajo të ndodh. Zoti Rama ka frikë nga hetimi ndërkombëtarë, i cili do të ishte.. do ta bënte më kredibël hetimin dhe më profesional sigurisht por edhe më të shpejt. Por ai druhet mesa duket të përsëritjes së rastit Trebicka, kur përfshirja e një eksperti të huaj bëri që hetimi të përfundonte më shpejt dhe ky hetim të mos arrinte rezultatet e dëshiruara nga zoti Rama”.

Por Edi Rama në daljen e tij publike në selinë rozë, tha se deklaratat e ambasadorëve janë kambanë për kryeministrin Berisha.

Edi Rama: “Thirrja e fortë e BE-së sot është një tjetër shprehje e faktit që Sali Berisha, për shkak të interesave ekskluzivisht personale e klanore, të lidhura me botën e përfitimeve të paligjshme, ka futur qeverinë e vendit, mazhorancën parlamentare të vendit në një konflikt privat me Prokurorinë e Republikës”.

Rama tha, se pas zgjedhjeve të vitit 2009 do të hapet një faqe e re për vendin me largimin e kësaj mazhorance.

Ilir Meta duke përshëndetur gjithashtu qëndrimin e diplomatëve të huaj, tha se situata është pasoj e ndryshimeve që dhunuan kushtetutën në 21 prill.

Ilir Meta: “Këtu qëndron te ky komfort i ri që ju krijua Berishës në mënyrën më mëndje lehtë dhe më të turpshme, këtu qëndron dhe pacipësia e Berishës që qesëndis opozitën dhe i lutet për mocion mosbesimi. Ne jemi gati që tani, ashtu sikurse kemi qenë gati dhe jemi përsëri gati në çdo moment që PS reaktivizon mocionin për zonjën Topalli, për të ecur edhe në këtë drejtim, sepse ju e shikoni që parlamenti nuk funksionon më si një institucion demokratik”.

Çështja Fazlliç ka përfshirë në akuza të ashpra mazhorancën me opozitën. Kryeministri Berisha u shpreh një ditë më parë për zhvillimin e një hetimi ndërkombëtarë të çështjes, si dhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të bërë transparencën e përplasjes mes 2 dikastereve qeveritare Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme me institucionin kryesor të akuzës. Por opozita kundërshtojë duke e cilësuar veprim që synonte nëpër këmbë kompetencën kushtetuese të Prokurorisë për të hetuar./tvklan.al Gazetare: Menada Zaimi