Sulm statujave të figurave historike që shfrytëzuan skllevërit
Indinjata kundër racizmit që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore pas vrasjes nga policia të afro – amerikanit George Floyd, po shfryhet edhe ndaj figurave historike të përfshirë në çështje dallimesh raciale.
Kjo është statuja e Jefferson Davis, ish-Presidentit të shteteve të konfederatës amerikane gjatë viteve 1862 – 1865, e cila u rrëzua nga protestuesit në Riçmond të Shteteve të Bashkuara.
Pak ditë më parë, në të njejtin qytet u shkul nga piedestali edhe statuja e zbuluesit të Amerikës, Kristofor Kolombi. Monumentet e tij janë hequr, dhunuar, djegur e tërhequr zvarrë në disa qytete të Shteteve të Bashkuara.
Figurat historike të lidhura me shfrytëzimin e skllevërve me ngjyrë kanë nisur të hiqen nga autoritetet në Britaninë e Madhe, si në rastin e tregtarit të skllevërve të shekullit të XVIII, Robert Milligan, që u hoq nga autoritetet lokale në Londër. Me dhunë anti-raciste u përball edhe monumenti i ish-Kryeministrit Çërçill, ndër liderët firmëtarë të triumfit ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.
Edhe në Belgjikë, manifestuesit kërkuan heqjen nga sheshet e Brukselit të monumentit të mbretit Leopold II, që ka udhëhequr vendin në epokën e kolonive të Afrikës në vitet 1800.
Tv Klan