Për të disatën herë Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve përplaset me institucionin e ministrisë së Drejtësisë. Manjola Bejleri njëkohësisht dhe gjyqtare në Gjykatën e Faktit në Tiranë akuzon në emër të shoqatës ministrin e Drejtësisë se po kërkon të mbajë nën kontroll sistemin gjyqësor.
Manjola Bejleri: “Me këtë reformë ne synojmë të rrisim garancitë ndaj pushtetit gjyqësor, por ajo çfarë po ndodh është që ne tashmë po luftojmë të ruajmë dhe ato që kemi.”
Por projektligji i ri për administratën gjyqësore, i cili është hartuar së fundmi nga ministria e Drejtësisë, sipas këtyre të fundit, nuk cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor pavarësisht se interpretimet që vijnë nga radhët e gjyqtarëve janë të ndryshme dhe të kundërta.
Marsida Xhafellari: “Ministria e Drejtësisë e konsideron këtë zhvillim si zhvillim pozitiv në rritjen e profesionalizmit dhe në garantimin e statusit të administratës gjyqësore me qëllim që ajo të përmbushë sa më mirë detyrat e saj funksionale të përcaktuara me ligj.”
Bejleri deklaron se dhe kontrolli mbi dosjet dhe vendimet gjyqësore nga ana e dy grupeve të inspektimit është i ekzagjeruar, duke krijuar një varësi nga ana e ekzekutivit.
Manjola Bejleri: “Nuk ka pse të ketë dy inspektorate të cilat kryejnë paralelisht të njëjtin kontroll mbi gjyqtarët, mjaftojnë njëri i cili dhe në rang hierarkik është më i lartë pasi inspektorët e KLD-së janë gjyqtarë, janë gjyqtarë të rangut të apelit, pra janë dhe më lart se ne dhe mund të vijnë të kontrollojnë, të shikojnë punën apo dosjet që kanë bërë gjyqtarët.”
Marsida Xhafellari: “Inspektimet e kryera së fundmi të ministrisë së Drejtësisë kanë pasur veç qëllimit të konstatimit të rasteve flagrante të shkeljeve të ligjit dhe marrjes së masave disiplinore për përgjegjësit e këtyre shkeljeve, kanë pasur si qëllim edhe identifikimin e problematikave të mundshme në gjykata, nëpërmjet këtyre inspektimeve është synuar që administrata gjyqësore tani e në vazhdim të përpilojë në akte gjyqësore atë që realisht ndodhin që është dhe detyrë e tyre e kërkuar në të dyja kodet e procedurave.”/tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani