Dokumentacioni i firmës që po ndërtonte ngjitur me pallatin e rrëzuar në Gjirokastër, nxjerr në dritë një skandal në dhënien e lejes për ndërtimin e këtij objekti. Sipas dokumenteve të publikuara për herë të parë në parlament nga ministri Olldashi, rezulton se firmës “Arti SHPK”, i është dhënë leja për ndërtimin nga KRRT-ja e bashkisë Gjirokastër pa qenë e pajisur me licencë. Licenca siç shihet qartë në këto dokumente i është dhënë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në 7 korrik të vitit 2008. Ndërsa leja e ndërtimit rezulton të jetë dhënë më 13 qershor të po këtij viti, mjafton të krahasosh këto data për të kuptuar skandalin.
Por një tjetër fakt komprometon pozicionin e KRRT-së së kësaj bashkie në lidhje me dhënien e lejes. Sipas dokumentacionit, kësaj firme nuk mund t’i jepet leja për ndërtimin e pallatit, në licencë ajo është klasifikuar si subjekt i tipit a, çka do të thotë se nuk mund të marrë për zbatim projekti që vlerësohen më shumë se 20 milion lekë. Megjithatë ai është lejuar të ndërtojë një pallat i cili arrin me vlerën 50 milion lekë. Të gjitha këto dokumente duket se do të përbëj dhe pistën kryesore të hetimeve të nisura nga prokuroria e rrethit, krahas verifikimeve të një sërë dokumentesh të tjerë të cilat gjithashtu verifikojnë shkelje flagrante në dhënien e lejes së ndërtimit e cila qëndron në themel të tragjedisë që mori jetën e 3 njerëzve.
Bie në sy gjithashtu fakti se firma “Arti SHPK” e pajisur me kohë rekord me dokumentacion ishte pa eksperiencë në fushën e ndërtimit me një xhiro vjetore nën nivelin zero. Megjithatë ajo është lejuar të ndërtojë në një terren tepër të rrëshqitshëm i cili është klasifikuar si i rrezikshëm nga vetë hallkat e bashkisë së Gjirokastrës.
Enkelejd Alibeja: “Nuk është çështje dëshire për të dhënë kontribut ose jo. Të gjithë kemi detyrimin për të dhënë kontribut, për të nxjerrë të vërtetat. Në rastet kur prokuroria është organi i mandatuar nga kushtetuta dhe nga ligji për të hetuar, të gjithë të tjerët duhet të heshtin, të gjithë të tjerët duhet të heshtin dhe ta lëmë prokurorinë të shkojë deri në fund me nxjerrjen e së vërtetës”./tvklan.al