Statistikat e transportit, të publikuara nga INSTAT për tremujorin e dytë të 2024-s tregojnë një rritje të ndjeshme të udhëtimeve të pasagjerëve nga ajri, e ndikuar kjo nga turizmi.
Statistikat tregojnë se për priudhën Prill- Qershor 2024, kanë udhëtuar në aeroportin e Rinasit me linja ajrore mbi 2 milionë e 879 mijë pasagjerë nga 1 milion e 747 mijë pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur kështu me 64,7 %.
Numri i pasagjerëve në linjat ajrore është rritur ndjeshëm edhe në krahasim me ata që zgjedhin të udhëtojnë me rrugë detare, kjo për shkak të udhëtimeve me kosto të ulët, por edhe për shkak të kohës së shkurtër që të merr një fluturim me avion.
Sipas të dhënave të INSTAT, lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e dytë prill – qershor 2024 është kryer nga porti i Durrësit, Vlorës dhe porti i Sarandës. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet këtyre porteve në vend është rreth 298 mijë persona ndërsa vitin e shkuar ka qenë rreth 223 mijë.
Rekord për numrin e pasagjerëve mban porti i Sarandës, i cili ka dyfishuar numrin e pasagjerëve, pasi nga 73 mijë pasagjerë në tremujorin e dytë të vitit të shkaur, këtë vit për të njejtën periudhë kanë udhëtuar mbi 155 mijë.
Sipas INSTAT Porti i Sarandës është porti nga i cili kanë udhëtuar 52,2 % e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Durrësit me 39,3 % dhe më pas porti i Vlorës me 8,5 %. Në portin e Durrësit dhe të Vlorës ka një reduktim të lehtë të numrit të pasagjerëve në krahasim me vitin e shkuar.
Klan News