Pas publikimit të të dhënave të INSTAT më 28 Qershor për Censin e Popullsisë dhe Banesave 2023, ku numri i banorëve që jetojnë në Shqipëri rezultoi 2.4 milionë, pati dhe polemika për shifrat. Në lidhje me këtë teknicieni pranë INSTAT, Arjan Gjonçaj tregoi metodologjinë që është përdorur që nuk lë hapësira për manipulim.
Arjan Gjonçaj, teknicien pranë INSTAT: Të reja në këtë procedurë, e para ishte sistemi i kapjes i cili është me tableta dhe në mënyrë automatike të dhënat shkonin direkt nga intervistuesi te sistemi i përgjithshëm. Për herë të parë ka patur një pyetësor dytësor ku llogaritej e dhëna në mënyrë të menjëhershme, ku si të thuash krahasohej dhe shikohej nëse kishte probleme.
Ndërsa për publikimin e të dhënave të Censit pas rreth 7 muajsh, drejtorja e INSTAT, Elsa Dhuli u shpreh se vendi ynë i ka përpunuar të dhënat në kohë shumë të shpejtë krahasuar edhe me vende të BE-së.
Elsa Dhuli, drejtore e INSTAT: Kemi bërë përpunimin e miliona rekordeve për të pasur një konsistencë në të gjithë treguesit, jo vetëm ato që dolën tani, por edhe ato që do dalin në muajin Tetor. Rezultatet finale të cilat Shqipëria po i nxjerr 7 muaj pas grumbullimit të terrenit dhe 6 muaj pas organizimit të anketës është arritje e madhe.
Sa i përket rritjes së moshës mesatare të popullatës në Shqipëri me 7 vite, ekspertët e INSTAT shprehen se ndikim kryesor ka luajtur emigracioni.
Arjan Gjonçaj, teknicien pranë INSTAT: Deri në 84% e efektit të plakjes së popullsisë vjen nga emigracioni. Është rritur shumë përqindja e njerëzve në moshë të vjetër.
Në muajin Tetor, INSTAT pritet të nxjerrë të dhëna edhe më të detajuara për çdo qark dhe bashki të vendit lidhur me Censin e Popullsisë dhe Banesave.
Klan News